Na ndiqni edhe në

Bota

Trump lë derën hapur për luftë me Iranin: Askush nuk e di çfarë dua të bëj

Trump lë derën hapur për luftë me Iranin: Askush nuk e di

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë që Shtetet e Bashkuara t’i bashkohen Izraelit në sulmet ndaj Iranit, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten.

Trump komentoi mbi ekonominë amerikane, normat e interesit dhe borxhin publik, por u tregua i rezervuar kur u pyet për situatën me Iranin.

“Nuk mund ta them,” deklaroi Trump. “Mund ta bëj, mund edhe të mos e bëj. Askush nuk e di çfarë dua të bëj. Por mund të them këtë: Irani ka shumë probleme dhe dëshiron të negociojë.”

Trump-i përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se Irani duhej të kishte qenë më i hapur ndaj negociatave përpara se Izraeli të ndërmerrte goditjet ushtarake.

Deklarata e Trump vjen në një moment delikat, pas raportimeve se Izraeli ka sulmuar dy qendra iraniane për prodhimin e centrifugave, ndërsa Irani ka reaguar me një raketë hipersonike që sipas Teheranit, ka pasur si objektiv territorin izraelit.

Ndërkohë, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar për “dëme të pariparueshme” nëse SHBA-të përfshihen në sulmet izraelite, duke shtuar se Irani nuk do të dorëzohet.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek nga afër zhvillimet, me frikën e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në rajon./K.C/dritare.net