Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pse rënia e regjimit iranian, do të ishte një goditje serioze për Rusinë

Pse rënia e regjimit iranian, do të ishte një goditje serioze

Nga Pjotr Sauer-The Guardian

Kur një grup zyrtarësh të politikës së jashtme ruse dhe iraniane u mblodhën në Moskë për konferencën me titull “Bashkëpunimi ruso-iranian në një botë në ndryshim”, ndoshta nuk e kishin parashikuar sa aktual dhe domethënës do të bëhej ky titull.

Të mërkurën, në hotelin President pranë Kremlinit, zyrtarët nga të dyja palët u përballën me një realitet të ashpër: regjimi i Iranit, një aleat i rëndësishëm i Moskës, po përballet me kërcënimin më serioz në dekada.

Ndërsa Izraeli dhe Donald Trump kërkojnë “dorëzim të pakushtëzuar” nga Teherani, Moska po shqetësohet gjithnjë e më shumë për fatin e Iranit, ndërkohë që në heshtje e pranon se nuk ka shumë mundësi për të ndikuar në ngjarjet që po zhvillohen.

Nikita Smagin, ekspert i pavarur për marrëdhëniet Rusi-Iran, thotë: “Ka qenë e qartë prej kohësh që Rusia nuk do ta mbrojë ushtarakisht Iranin, sepse nuk dëshiron të rrezikojë një përballje me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për shkak të Iranit.”

Analistët shpjegojnë se reagimi i kujdesshëm i Moskës është rezultat i një llogaritjeje të ftohtë politike: duke vendosur në rend të parë luftën në Ukrainë dhe në të njëjtën kohë përpjekjen për të mos lejuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në një konflikt që mund të çojë në rrëzimin e regjimit në Teheran.

Burime pranë ministrisë së jashtme ruse thonë se Kremlini nuk ka ndërmend të armatosë Iranin apo të përfshihet në konfliktin ushtarak. “Moska nuk dëshiron të ketë konflikt me Trump dhe po bën gjithçka për të nxitur SHBA-në të rikthehet te diplomacia. Por prioriteti i Rusisë mbetet shmangia e çdo veprimi që mund të dëmtojë marrëdhëniet e ngrohta me administratën e re amerikane apo të ndryshojë qëndrimin e Trump ndaj Ukrainës,” thotë burimi.

Megjithatë, Kremlini ka shumë për të humbur nga një fushatë ushtarake e gjatë, e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, që shkatërron infrastrukturën ekonomike dhe ushtarake të Iranit dhe rrezikon ekzistencën e regjimit në Teheran.

“Nëse regjimi aktual iranian rrëzohet, kjo do të jetë një goditje strategjike dhe reputacioni për Rusinë,” thotë burimi i ministrisë së jashtme.

“Kjo do të ishte humbje më e madhe se rënia e Damaskut,” shton ai, duke iu referuar ndikimit të reduktuar të Rusisë në Siri pas rrëzimit të Bashar al-Asadit, aleatit të gjatë të Kremlinit, dhe përfundimit të një ndërhyrjeje të kushtueshme dhjetëvjeçare.

Në pamje të parë, reagimi i zbutur dhe mungesa e dënimeve të ashpra nga Rusia duket e kundërt me thellimin e marrëdhënieve me Iranin që nga pushtimi i Ukrainës në 2022, një luftë që i ka vendosur dy vendet nën sanksione të rënda.

Në muajt e parë të pushtimit rus, Irani ishte një partner i rëndësishëm, duke furnizuar Moskën me mijëra dronë ushtarakë për sulme ndaj qyteteve ukrainase. Më vonë, Teherani dërgoi edhe trajnerë në Rusi për të ndihmuar ngritjen e një fabrike dronësh në malet Ural, duke përdorur teknologji iraniane.

Putini përshëndeti thellimin e marrëdhënieve, dhe në janar ai dhe homologu i tij iranian nënshkruan një traktat të gjerë strategjik për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe shkëmbimit të inteligjencës.

Megjithatë, marrëdhënia mes dy vendeve ka qenë gjithmonë komplekse. Në marrëveshjen ushtarake nuk u përfshi një klauzolë mbrojtjeje të përbashkët, që do të thotë se Rusia nuk ka asnjë obligim ligjor për të ndihmuar ushtarakisht Iranin. Gjithashtu, Rusia është treguar e ngadaltë në dorëzimin e armëve që Teherani ka kërkuar, si sisteme mbrojtjeje ajrore dhe avionë luftarakë.

Për shkak të përfshirjes në luftën në Ukrainë dhe lidhjeve në rritje me aktorë të tjerë rajonalë si Arabia Saudite, Moska nuk e ka urgjentisht mbështetjen për Iranin, edhe pse pozicioni i këtij të fundit është dobësuar pas goditjeve ndaj aleatit të tij kryesor, Hezbollahut libanez.

Nga ana tjetër, Kremlini ka arritur të zhvillojë prodhimin e dronëve në mënyrë të pavarur, duke zvogëluar kështu varësinë nga ndihma ushtarake iraniane.

Disa në Moskë kanë tentuar të shohin edhe përfitime nga sulmet izraelite ndaj Iranit. Për shembull, çmimet e naftës kanë arritur nivelin më të lartë në katër muaj dhe pritet të rriten më tej, gjë që sjell një përfitim ekonomik të nevojshëm për Rusinë, që po përballet me presionin e uljes së çmimeve globale të energjisë dhe ndikimit në buxhetin e luftës.

Konflikti ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e plotë të Trump-it, i cili ditët e fundit thuajse nuk ka përmendur Ukrainën. Ai ndërpreu papritur udhëtimin për në samitin e G7, duke anashkaluar një takim të planifikuar më parë me presidentin ukrainas Zelenskyy.

Ruslan Pukhov, drejtori i një think tanku ushtarak në Moskë, shkruante në Telegram: “Është e mundur që Ukraina do të pësojë dëmin më të madh ushtarak dhe politik nga kjo situatë, përveç Iranit, natyrisht. Një luftë e re në Lindjen e Mesme jo vetëm do të shpërqendrojë vëmendjen botërore nga konflikti në Ukrainë, por edhe do të nxisë riorientimin përfundimtar të SHBA-së drejt ndihmës ushtarake për Izraelin.”

Por ndonëse këto mund të sjellin përfitime afatshkurtra, perspektiva afatgjatë është shumë më e pasigurt për Rusinë, thonë ekspertët.

Rusia rrezikon të humbasë një partner strategjik kyç, së bashku me shumë vite kapital politik dhe ekonomik, duke pësuar kështu një goditje serioze në ambiciet e saj gjeopolitike. Në dy vitet e fundit, Moska është bërë investitori më i madh i huaj në Iran, duke premtuar miliarda dollarë për projekte në gaz, energji dhe infrastrukturë, të cilat mund të jenë në rrezik në rast se regjimi iranian bie.

Ndryshe nga aleatët e tjerë si Bjellorusia, Rusia ka pak lidhje historike apo kulturore me Iranin. Partneriteti i tyre bazohet më shumë në një armiqësi të përbashkët ndaj Perëndimit dhe përvojën e përbashkët të jetesës nën sanksione.

“Humbja e këtij regjimi do ta bëjë shumë më të vështirë për Rusinë ruajtjen e interesave dhe ndikimit në Iran,” thotë Hanna Notte, eksperte e politikës së jashtme ruse me bazë në Berlin.

Sipas saj, skenari më i keq për Moskën do të ishte një Lindje e Mesme nën dominim të fuqive të lidhura me SHBA-në. “Kjo do të ishte një goditje e rëndë për Rusinë.”/Përshtati Dritare.net