Na ndiqni edhe në

Bota

Emigracioni jashtë kontrollit/ Kryeministri britanik pranon dështimin me gomonet

Emigracioni jashtë kontrollit/ Kryeministri britanik pranon dështimin

Downing Street ka pranuar zyrtarisht se situata e gomoneve që transportojnë emigrantë ilegalë përtej Kanalit të La Manshit mes Francës dhe Anglisë po përshkallëzohet. Kjo është hera e parë që qeveria britanike e pranon hapur përkeqësimin e kësaj krize.

Deklarata vjen menjëherë pas takimit të Kryeministrit britanik Sir Keir Starmer me Presidentin francez Emmanuel Macron gjatë samitit të G7-ës në Kanada, ku në fokus ishte bashkëpunimi për ndalimin e migracionit të paligjshëm drejt Britanisë.

Sipas burimeve qeveritare, të dy liderët ranë dakord të kërkojnë zgjidhje më kreative dhe efektive për të ndalur vërshimin e gomoneve në brigjet angleze. Ndërkohë që Starmer iu drejtua kryeministres italiane Meloni duke theksuar rolin udhëheqës të Britanisë në luftën kundër trafikantëve të qenieve njerëzore, shifrat flasin ndryshe: mbi 16,000 emigrantë kanë kaluar me sukses nëpër kanal vetëm këtë vit, një nivel alarmant dhe rekord i ri për këtë periudhë.

Numri i kalimeve përmes gomoneve është rritur me 42% krahasuar me vitin e kaluar, pavarësisht faktit që Britania i ka transferuar Francës 480 milionë paund për të ndihmuar forcat e rendit franceze në ndalimin e nisjeve nga brigjet e tyre.

Megjithatë, autoritetet franceze deklarojnë se janë të kufizuara në veprim, pasi ndërhyrja në momentin kur gomone të mbushura ndodhen në ujë shkel ligjin ndërkombëtar detar dhe rrezikon jetët e emigrantëve. Në shumë raste, forcat franceze mbeten thjesht spektatore, duke regjistruar situatën pa vepruar, çka ka ngjallur kritika të forta nga ana britanike.

Qeveria britanike po synon të ndryshojë këtë realitet, por gjithçka varet nga bashkëpunimi i mëtejshëm me Francën. Nga këto kalime, Franca përfiton zbrazjen e territorit të saj nga emigrantët, të cilët përfundojnë më pas në tokën britanike, një sfidë që është përshkallëzuar edhe më shumë pas Brexitit./K.C/dritare.net