Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SHBA përgatitet për sulm të mundshëm ndaj Iranit: Bombardues B-2 dhe aeroplanmbajtës drejt Lindjes së Mesme

SHBA përgatitet për sulm të mundshëm ndaj Iranit: Bombardues

The Guardian

Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme që nga fundjava, por kanë lënë të paqarta disa detaje për të ruajtur “paqartësinë operacionale”, ndërsa presidenti Donald Trump shqyrton mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake në luftën Izrael–Iran.

Në mënyrë të veçantë, nuk është dhënë asnjë informacion i ri për vendndodhjen e bombarduesve B-2, të cilët do të përdoreshin për të goditur objektivin më të mbrojtur bërthamor të Iranit në Fordow. Ky objekt ndodhet thellë nën tokë dhe mund të shkatërrohet vetëm me bomba të posaçme bunker-buster, si bomba GBU-57/B prej 13.6 tonësh, e projektuar për të depërtuar 60 metra në shkëmb.

Të hënën në mbrëmje, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se kishte “urdhëruar dërgimin e kapaciteteve shtesë” në Komandën Qendrore të SHBA-së në Lindjen e Mesme, në një operacion që, sipas tij, synon të përforcojë pozicionin mbrojtës të SHBA-së në rajon. Ndërkohë, Presidenti Trump, i cili u kthye para kohe nga samiti i G7 në Kanada, u shpreh për gazetarët: “Nuk jam duke kërkuar një armëpushim, po kërkojmë diçka më të mirë se një armëpushim.”

Megjithatë, lëvizjet e më shumë se 31 avionëve cisternë të Forcave Ajrore Amerikane – kryesisht KC-135 Stratotanker dhe KC-46 Pegasus – të ndjekura nga platforma e fluturimeve AirNav Systems, treguan se Pentagon-i mund të jetë duke përgatitur një sulm ajror me rreze të gjatë. Këta avionë fluturuan drejt Evropës të dielën dhe disa prej tyre janë raportuar të kenë lëvizur edhe më në lindje të martën.

Bombarduesit B-2 kanë një rreze veprimi prej rreth 6,000 miljesh pa furnizim me karburant, por zakonisht nisen nga baza të kufizuara si Whiteman në Missouri, Fairford në Angli dhe sidomos Diego Garcia në Oqeanin Indian – një bazë që qeveria britanike e ka dhënë me qira për përdorim nga SHBA. Vitin e kaluar, nga Whiteman, B-2 goditën pesë depo armësh të Houthive në një fluturim prej 8,000 miljesh. Ndërsa Diego Garcia është shumë më afër Iranit – vetëm 3,200 milje larg Fordow – dhe mund të shërbejë si bazë për një sulm ndaj saj.

Vetëm SHBA disponon një armë si GBU 57/B Massive Ordnance Penetrator që mund të shkatërrojë objektivin në Fordow, një ndër impiantet kryesore të pasurimit të uraniumit në Iran, i cili mendohet të ndodhet 80–90 metra nën një mal. E vetmja aeroplan që mund ta mbajë këtë bombë 6 metra të gjatë është bombarduesi B-2.

Rreth një dekadë më parë, Pentagoni ndërtoi një replikë të Fordow në një shkretëtirë dhe e bombardoi me një bombë prej 30,000 paundësh, duke e shkatërruar plotësisht – një ngjarje që sipas një raportimi të New York Times u regjistrua në një video sekrete e cila më vonë iu tregua politikanit izraelit Ehud Barak nga Leon Panetta, sekretar mbrojtjeje gjatë presidencës së Obama-s.

Deri më tani, Izraeli duket se ka arritur kontrollin ajror mbi Iranin që prej fillimit të sulmeve të premten, por Fordow është goditur vetëm ditën e parë. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) deklaroi të hënën se nuk kishte prova për dëmtime në impiant. Eksperti i aviacionit Justin Bronk nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara (RUSI) tha se do të duheshin “shumë goditje të sakta”, ku bomba e dytë do të duhej të binte në të njëjtin krater si e para, për të pasur efekt. Një sulm i tillë kërkon saktësi maksimale dhe më shumë se një avion, për të siguruar që të gjitha armët të funksionojnë siç duhet dhe të depërtojnë në thellësinë e nevojshme.

Pamjet satelitore të majit kanë treguar praninë e gjashtë bombarduesve B-2 në Diego Garcia, që përfaqësojnë rreth gjysmën e flotës operacionale të SHBA-së (nga 19 gjithsej), por nuk ka të dhëna të reja mbi këtë që nga ajo kohë. Shumë kompani që prodhojnë imazhe satelitore komerciale punojnë edhe për qeverinë amerikane.

Një tjetër objektiv i mundshëm për SHBA-në është impianti i dytë bërthamor iranian, në Natanz. Edhe pse një pjesë sipërfaqësore e objektit u bombardua nga Izraeli të premten, një strukturë më e thellë (8–12 metra nën tokë), sipas IAEA, është ende relativisht e padëmtuar – ndonëse ushtria izraelite ka pretenduar të kundërtën.

Një çështje kyçe për Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagonin është nëse, pas pesë ditësh sulmesh ajrore nga Izraeli, ekziston ende ndonjë rrezik për avionët amerikanë që do të fluturonin mbi Iran. Megjithatë, në aspektin ushtarak, SHBA ka mjaftueshëm mjete për të nisur një sulm të zgjeruar ndaj mbrojtjes ajrore dhe bazave raketore të Iranit.

Një grup i dytë aeroplanmbajtës amerikan, i udhëhequr nga USS Nimitz, është nisur nga Azia Lindore drejt Lindjes së Mesme këtë javë, për t’u bashkuar me USS Carl Vinson, e cila ndodhet tashmë afër Iranit, në Detin Arabik. Të paktën tre shkatërrues amerikanë ndodhen gjithashtu në Mesdheun Lindor./L.F-dritare.net