
Trump kërcënon liderin suprem iranian: E dimë ku fshihet, por s’do ta eliminojmë tani për tani
Dritare.net
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një deklaratë të drejtpërdrejtë dhe kërcënuese në rrjetet sociale, teksa tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë në nivelin më të lartë të viteve të fundit.
Në një postim të fundit, Trump shkruan:
“E dimë saktësisht se ku fshihet i ashtuquajturi ‘Lider Suprem’ i Iranit.
Ai është një objektiv i lehtë, por është i sigurt aty ku ndodhet. Nuk do ta eliminojmë, të paktën jo për tani.
Por nuk duam që raketat të godasin civilë apo ushtarë amerikanë. Durimi ynë po soset. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”
Deklarata e Presidentit amerikan vjen pak minuta pasi ai publikoi një tjetër mesazh në të cilin tha:
“Ne kemi kontroll të plotë dhe total të hapësirës ajrore mbi Iranin.”
Këto mesazhe publikohen në një moment tepër të ndjeshëm, menjëherë pas raportimeve për një sulm nga ushtria iraniane ndaj një qendre të inteligjencës ushtarake izraelite në Tel Aviv, një veprim që ka tronditur situatën në Lindjen e Mesme dhe ka vënë në alarm aktorët globalë.
Toni i Presidentit Trump lë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin veprime të forta ushtarake nëse provokimet iraniane vazhdojnë.
Aktualisht, nuk ka një reagim zyrtar nga Irani lidhur me këto deklarata, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim çdo zhvillim të mëtejshëm./K.C/dritare.net

















