Na ndiqni edhe në

Emisionet

Enkeleda Mema: Ja emrat që pritet të jenë pjesë e kabinetit të ri Rama 4!

Enkeleda Mema: Ja emrat që pritet të jenë pjesë e kabinetit

Gazetarja e politikës Enkeleda Mema, e ftuar në emisionin “Dekalog” në DritareTV me Roland Qafokun, bëri një analizë të detajuar për përbërjen e mundshme të kabinetit të ri qeveritar që pritet të shpallet nga kryeministri Edi Rama në shtator 2025, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe nisjes së mandatit të katërt radhazi të tij në drejtimin e vendit.

“Arbjan Mazniku, Adea Pirdeni dhe Ervin Demo janë ndër emrat që pritet të jenë pjesë e kabinetit të ri. Këta janë njerëz me profil të lartë, të besuar nga kryeministri dhe me eksperiencë konkrete në administratë dhe qeverisje vendore,” u shpreh Mema.

Për largimet e mundshme nga qeveria aktuale, Mema nuk përmendi konkretisht emra, por nënvizoi:

“Pritet një ristrukturim i thellë i qeverisë, me rotacione dhe figura të reja që do të pasqyrojnë prioritetet e reja të mandatit të katërt.”

Ndër figurat që pritet të mbeten pjesë e qeverisë, sipas Memës, është edhe Belinda Balluku:

“Ajo do të vijojë të mbajë një rol kyç në ekzekutiv. Është ndër figurat më të konsoliduara në skuadrën e Ramës,” deklaroi gazetarja.

Një zhvillim i rëndësishëm që Mema parashikon është krijimi i një ministrie të posaçme për çështjet e integrimit europian:

“Duket se Rama do t’i japë peshë të veçantë procesit të integrimit, ndaj mund të kemi një portofol të ri për këtë qëllim dhe një emër të fuqishëm në krye të tij,” u shpreh ajo.

Sa i përket drejtësisë, një emër i përmendur është Fatmir Xhafaj, i cili mund të rikthehet në qeveri për të drejtuar këtë dikaster.

Për Borën Muzhaqin, e cila ka mbajtur portofolin e Rinisë, Mema shprehu paqartësi:

“Nuk mund të them me siguri nëse do jetë pjesë e kabinetit të ri. Ka dilema për rolin e saj të ardhshëm,” tha gazetarja.