Momente të jashtëzakonshme me Timo Fllokon, Muntaz Dhramin dhe Lasgush Poradecin!
Dritare.net

Në episodin e pestë të dokumentarit “Kamera e gjyshit” në DritareTV, mjeshtri i fotografisë Stefan Gajo solli një rrëfim të mbushur me emocione, kujtime dhe art, ku ndërthuren emra të mëdhenj të kulturës shqiptare si Timo Flloko, Muntaz Dhrami dhe Lasgush Poradeci.

Gjatë rrëfimit të tij, Gajo u ndal te një projekt i nisur vite më parë, një dokumentar që mbeti i papërfunduar për rreth 23 vjet për arsye të ndryshme, përfshirë edhe probleme shëndetësore.
“E fillova me Muntaz Dhramin dhe dua t’i kërkoj të falur për një dokumentar që u nis para 23 vjetësh dhe nuk përfundoi… Shpresoj që tani t’i ketë ardhur momenti për ta realizuar.” u shpreh Gajo.
Një pjesë e veçantë e episodit iu kushtua edhe përvojës së tij si pedagog në shkollën “Marubi”, në lëndën “Mjeshtëri Operatori”. Ai tregoi se studentëve u jep si detyrë interpretimin filmik të poezisë së Lasgush Poradecit “Mora shoqezën përkrah”, një ushtrim që synon të ndërthurë poezinë me gjuhën e filmit.
Në këtë episod, vetë Gajo u kthye simbolikisht në “student”, duke e realizuar këtë etyd filmik me ndihmën e aktorit të madh Timo Flloko.
Timo Flloko interpreton vargjet e Lasgush Poradecit:
E mora shoqezën përkrah.
E matmë rrugën ca nga ca,
sikur na ndillte larg diçka.
Pa zuri dita perëndoi,
pa zuri nata na mbuloi.
Pa zura shoqen ta pushtoj.
Përse buçet liqeri i qetë?
Liqer, ti ç'thua ndaj buçet?
Çfarë pe liqer mi zall të shkretë?
E çastin kur e sjell ndërmend,
kur sjell ndërmend, oh atë vend,
as rroj, as vdes,
po jam pa mend."
Ky moment në “Kamera e gjyshit” u shndërrua në një ndërthurje të rrallë mes kujtesës artistike, poezisë dhe filmit, duke sjellë në vëmendje trashëgiminë e Lasgush Poradecit dhe mënyrën se si ajo vazhdon të frymëzojë brezat e rinj të artistëve shqiptarë./dritare.net



