Yjet e kinematografisë shqiptare siç nuk i keni parë kurrë!
Dritare.net

Në episodin e dytë të dokumentarit “Kamera e gjyshit”, në DritareTV, mjeshtri i fotografisë dhe operatori Stefan Gajo sjell xhirime të rralla dhe të panjohura të yjeve të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, duke rikthyer atmosferën e një kohe kur arti dhe miqësia mes artistëve kishin një peshë të veçantë.
Janë pamje të realizuara 33 vite më parë, në një mbrëmje shtatori, kur pas pushimeve verore, Teatri Kombëtar i Shqipërisë organizon një takim për çeljen e sezonit të ri artistik. Në atë sallë mblidhen aktorë të brezave të ndryshëm, edhe ata që kishin dalë në pension, por jo nga skena dhe dashuria e publikut. Një takim i mbushur me nostalgji, humor dhe kujtime, ku gjithçka zhvillohet natyrshëm, mes batutave dhe improvizimeve.
Një nga momentet më të bukura vjen nga rrëfimi i Bujar Kapexhiut, i cili kujton një histori të hershme me aktorin legjendar Ndrekë Luca. Si gjimnazist në Petro Nini Luarasi, ai i thërriste çdo mëngjes nga dritarja e klasës: “O Ndrekë, o Ndrekë!”, ndërsa Luca nisej për në teatër. Kjo vazhdoi për një vit të tërë, deri sa vite më vonë, kur u takuan në Institutin e Arteve, Luca e njohu dhe e përqafoi, duke i thënë: “Do bëhesh artist i mirë”.
Mbrëmja vijon me kujtime të tjera nga skena dhe pedagogët e Institutit të Arteve, mes tyre edhe rrëfime me humor nga Llazër Filipi dhe mënyrën e tij të veçantë të mësimdhënies.
Një tjetër moment i paharrueshëm vjen kur në skenë ngjiten dy kolosë të artit shqiptar, Violeta Manushi dhe Viktor Gjoka, të cilët interpretojnë një pjesë komike të harruar, por shumë të dashur për publikun, duke rikthyer duartrokitjet dhe emocionet e dikurshme.
Në fund, fjala e Viktor Gjoka shndërrohet në një mesazh të fortë për brezin e ri të aktorëve. Ai thekson rëndësinë e dramaturgjisë shqiptare dhe nevojën për modesti në art, duke lënë një porosi që mbetet aktuale edhe sot.
“Megjithëse nuk e prisja të vija sot këtu, më bëri shumë përshtypje një gjë. Inshallah që teatri ynë të ecë përpara. Teatri ynë ka qenë gjithmonë një teatër simbol, me aktorë të shkëlqyer dhe me përvojë të madhe artistike. Tani neve na kaloi koha, prandaj ju lutem juve, brezit të ri, merreni këtë stafetë dhe çojeni përpara në këtë kohë krize teatrale. Të mos humbasë teatri ynë.
Ju keni dëshirë të vini në skenë autorë të huaj, Shekspirin, Molierin, Goldonin… por bëni kujdes edhe me autorët shqiptarë. Teatri kombëtar pa dramaturgë shqiptarë nuk mund të ecë përpara. Shqipëria është e vogël, por ka një art të madh dhe duhet ta mbështesim.
Një gjë tjetër që dua t’ju them: aktorët të mundohen të jenë sa më modestë. Pashë që ka shumë fryrje. Fryrja është sëmundje kanceroze. Mundohuni të shkarkoheni, sepse po nuk u shkarkuat, nuk tëngarkoheni me figurën. Ju uroj suksese!", tha Viktor Gjoka.
Mbrëmja përmbyllet me një moment simbolik, ku të gjithë artistët ngjiten në skenë për një foto të përbashkët, ndërsa kamera e Stefan Gajos ruan këto kujtime të rralla, që sot rikthehen si një dëshmi e gjallë e yjeve të kinematografisë shqiptare, siç nuk i keni parë kurrë më parë./dritare.net