Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

I privilegjuar, a i mallkuar!

I privilegjuar, a i mallkuar!

Nga Rexhep Qosja!

I privilegjuar, a i mallkuar!

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!

Ngjitem shkallëve ngadalë, lodhshëm, si të isha tetëdhjetë e pesë vjeç! Mezi më çojnë këmbët nëpër to. Çfarë shkallësh! Janë më të afërta njëra me tjetrën se shkallët në shtëpinë time. Janë më të gjera se shkallët në shtëpinë time. Janë prej mermerit e jo prej drurit si shkallët e shtëpisë sime. Janë me grila anash, të zbukuruara me figura gjeometrike që s’i kisha parë ndonjëherë, me grila të punuara duke pasur parasysh grilat që dikur kishte punuar kryetari i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, kur ishte axhustator i ri, që aq shpesh tregoheshin në televizionin e Beogradit e në gazetat e mbarë Jugosllavisë. Në anën e djathtë të shkallëve janë vënë piktura të ndryshme - kopje të pikturave të piktorëve tanë, të Kujtim Buzës e të Muslim Mulliqit, por edhe dy piktura kopje të dy piktorëve të lavdishëm të Rilindjes italiane - të Leonardo da Vinçit dhe të Mikelanxhelo Buonarotit! Mes këtyre pikturave e kishte sjellë fati edhe Majën lakuriq të Francisko Gojës, të kopjuar prej një gjysmëtalenti të këtushëm. Në murin përballë shkallëve është edhe një karikaturë përfundi së cilës është shkruar kjo fjali e Fridrih Niçes: jesh i pavdekshëm kushton shtrenjtë: vdiqet shumëherë për së gjalli!

I numëroj ngadalë hapat nëpër korridorin e gjatë, o sa të gjatë, edhe gati tri metra të gjerë, i cili është i mbuluar me një tepison të kuq, më të kuq se bezi i flamurit kuqezi me shqiponjën dykrenore në mes. E këtë shqiponjë ende shumëkush e quan shkabë! S’i shkon mendja se shqiponja ushqehet me shpend a shtazë, që i zë të gjalla, kurse shkaba ushqehet me kërma! Për këtë arsye shqiponjat e jo shkabat paraqiten në flamujt e jo pak shteteve. Kush me mend në krye në flamurin kombëtar do ta pikturonte një shpend, që i vjen erë e padurueshme e kërmës! Trokas në zyrën e fundit të korridorit. Sa e gjerë, sa e lartë e sa shkëlqyese m’u duk kjo derë! Është vërtetë shumë e madhe dhe shumë e gjerë apo të tillë e bëjnë sytë e mi të mësuar të shohin dyer të vogla. Heshtje. Askush s’ më thotë: urdhëroni! Pas pak trokas edhe njëherë. Prapë heshtje. Pres gjatë, ndoshta dy-tri minuta! Dhe, trokas prapë i gatshëm të prapakthehem në qoftë se nuk dëgjoj: urdhëroni!

Hyni!

Apo Mirë se vini!

Pas pak dëgjoj: Urdhëroni!

O sa mirë! Isha duke ju pritur megjithëse, si po tregon ora ime, keni ardhur pesë minuta para orës së caktuar. Ju përkthyesit e keni adet të nxitoni.

Jo të gjithë, jo, zonjë! Po unë jam i padurim.

Ju, besoj, nuk bëni pjesë ndër ata përkthyesit që nxitojnë. Nxitimi në përkthime nuk është virtyt. Apo jo?

Nxitimi në përkthime sjell shumë të këqija. Urdhëroni, uluni! Thotë goja e saj buzëtrashë, prej së cilës del një zë i këndshëm si ta kishte kompozuar Moxarti gjenial, duke ma treguar karrigen e vetme për mysafirët.

Ju faleminderit, i përgjigjem.

E dini, besoj, se jam sekretare këtu, në këtë Ministri.

Prandaj kam ardhur te ju.

E di, e di arsyen pse keni ardhur.

Ia dhuroj një buzëqeshje.

Jam i ftuar prej ministrit për një angazhim afatgjatë këtu, i them.

Të gjitha dosjet e qeverisë së përparme, që quhej Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, duhet të çohen në Arkivin e Shtetit, por më parë, para se të çohen atje, duhet të përkthehen disa prej dokumenteve të tyre. Numri më i madh i tyre janë në gjuhën angleze, kurse një numër në gjuhën frënge. Ju, si jemi të informuar, i njihni të dyja këto gjuhë dhe përktheni në to dhe prej tyre. Apo jo? Nuk di a u shpreha mirë.

Si ta di unë se cilat prej këtyre dokumenteve duhet të përkthehen, mandej, si ta di unë cilat duhet të përkthehen anglisht e cilat duhet të përkthehen frëngjisht.

Në të gjitha, në krye të tyre, në anën e djathtë, është shkruar me ngjyrë të kuqe: përkthimi anglisht ose përkthimi frëngjisht.

A mund ta di numrin e atyre dokumenteve, që duhet të përkthehen?

Unë nuk e di. Por e gjithë puna që do të bëni këtu, kam dëgjuar, mund të zgjasë jo më pak se nëntë muaj. A jeni dakord? Mos është shumë: nëntë muaj?

A duhet të nënshkruaj farë kontrate?

Ende nuk ma kanë sjellë, sepse nuk është përpiluar ende, më kanë thënë. Heshtje e gjatë. Këmbim i shikimeve në fillim të shkurtra e pas pak më të gjata!

E tani, zonjë, a mund të shkoj?

Tani? Nuk jam zonjë, zotëri, por zonjushë. Havaja e sëmurë e zonjusha sekretare në Ministri duke pëlcitur prej shëndetit. Dhe prej dëshirave të tepërta. Ligje natyrore dhe padrejtësi jetësore!

Më falni, zonjushë, a mund të shkoj tani?

Do t’ju njoftoj me celular kur të jetë gati kontrata, besoj se nuk do ta vonojnë.

Kam çka punoj, zonjushë, edhe po të vonohet.

Besoj se keni mjaft punë - të ndryshme, thotë duke qeshur.

Po, punë të përkthyesit.

Çka përktheni më së shpeshti? Romane. A përktheni edhe romane dashurie?

Natyrisht, ato edhe kërkohen më së shumti prej lexuesve. Edhe mua më pëlqejnë.

Shumë sigurisht.

Shumë. Unë jam Bardh Dynjaja, po ju s’ma thatë emrin tuaj.

Unë jam Fjolla Fishta.

O sa emër i bukur. Fjollë, Fjolla, Fjollës. Prej Fjollës...

Mendoj, gati zëshëm: Fjollë, dikush do të dëshironte shumë të të kishte dashnore! Dikush të të merrte për grua! E dikush të të shemëronte!

Mos je ti njëri prej tyre? Ndoshta shemëruesit, më thonë sytë e saj të kafenjtë dhe buzët e lëngëta, që i përkëdhelë gjuha lojcake./dritare.net

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!