Dosja “Balluku”/ SPAK dhe BKH kryejnë 19 kontrolle ndaj zyrtarëve dhe kompanive ndërtuese
Dritare.net

Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar një aksion të gjerë kontrollesh në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjen ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe disa bashkëpunëtorëve të saj. Janë kryer 19 kontrolle në dy kompani ndërtimi, si edhe në ambiente dhe banesa të punonjësve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare. Dy kompanitë e ndërtimit rezultojnë të jenë subjekte të njohura për përfitimin e tenderëve pranë këtyre institucioneve shtetërore.
Aksioni është zhvilluar ekskluzivisht nga agjentë të BKH-së, pa përfshirjen e Policisë së Shtetit. Në të paktën tre kontrolle të kryera në zonën nën juridiksionin e Komisariatit të Policisë Nr. 3, punonjësit e policisë nuk janë lejuar të marrin pjesë në veprimet hetimore. Në një rast, agjentët e BKH-së kanë ndaluar një punonjës policie të përfshihet në kontroll, duke e lënë jashtë ambienteve që po kontrolloheshin.
Kontrollet janë ushtruar si në ambientet e punës, ashtu edhe në banesat e drejtuesve të kompanive ndërtuese, por edhe të familjarëve të tyre. Mes personave, banesat e të cilëve janë kontrolluar, përfshihen Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtoreshë e KESH-it, Gentian Gjyli, ish-drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në arrest shtëpie, Erald Elezi, ish-drejtor i KESH-it, gjithashtu i pandehur dhe në arrest shtëpie, si edhe Sajmir Kuçi, Marsel Hoxha dhe Jonida Çeço./K.C/dritare.net