Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mesazhi i parë ‘Urbi et Orbi’ i Papa Leone: Të ulen armët!

Mesazhi i parë ‘Urbi et Orbi’ i Papa Leone: Të ulen

Mesazhi i Krishtlindjes “Urbi et Orbi”, si çdo vit, ka qenë një thirrje për paqe në një botë të ndarë dhe të tronditur nga luftërat dhe vuajtjet. Por Papa Leone XIV, në Krishtlindjen e tij të parë si Peshkop i Romës, e ka përcjellë këtë thirrje me një delikatesë të veçantë, duke zgjedhur të citojë vargje nga Yehuda Amichai, i konsideruar si një nga poetët më të mëdhenj izraelitë dhe një mbështetës i palëkundur i paqes me palestinezët.

“Jo paqja e një armëpushimi, as vizioni i ujkut dhe i qengjit, por përkundrazi si në zemër kur eksitimi mbaron dhe mund të flitet vetëm për një lodhje të madhe… Le të vijë si lulet e egra, papritur, sepse fusha ka nevojë për të: paqe e egër”, janë vargjet me të cilat Papa i dha ton mesazhit të tij.

Nga Lozha e Bekimeve, në mesditë, Ati i Shenjtë rikujtoi plagët e botës, duke u ndalur veçanërisht te Lindja e Mesme, te “populli i martirizuar ukrainas” dhe te Evropa, të cilën e ftoi të mbetet mikpritëse dhe besnike ndaj rrënjëve të saj të krishtera dhe historisë së saj.

Duke reflektuar mbi misterin e Krishtlindjes, Papa theksoi se duke u bërë njeri, Jezusi merr mbi vete brishtësinë njerëzore dhe identifikohet me secilin që vuan: me banorët e Gazës që kanë humbur gjithçka, me popullin jemenas të goditur nga uria dhe varfëria, me refugjatët dhe emigrantët që përshkojnë Mesdheun dhe Kontinentin Amerikan në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, me të rinjtë që nuk gjejnë punë, me punëtorët e shfrytëzuar dhe me të burgosurit që jetojnë shpesh në kushte çnjerëzore.

Duke cituar Shën Augustinin – “Zoti, që na ka krijuar pa ne, nuk mund të na shpëtojë pa ne” – Papa Leone XIV vuri theksin te përgjegjësia personale si rruga e vetme drejt paqes. Ai u bëri thirrje të gjithëve që, në vend të akuzimit të të tjerëve, të pranojnë mangësitë e veta, të kërkojnë falje dhe të tregojnë solidaritet me më të dobëtit dhe të shtypurit.


“Motra dhe vëllezër, ja rruga e paqes: përgjegjësia”, përfundoi Papa, duke theksuar se vetëm përmes dashurisë konkrete dhe ndjeshmërisë ndaj vuajtjes së tjetrit bota mund të ndryshojë./dritare.net