35-vjeçari merr peng prindërit, vetëplagoset pas ndërhyrjes së policisë
Dritare.net

Spiro Dhimaleksi, në gjendje të rënduar psikologjike, ka izoluar në një dhomë prindërit e tij, 60 dhe 65 vjeç, duke i kërcënuar me thikë se do t’i vriste. Ngjarja ka ndodhur në Himarë, ku 35-vjeçari i mbajti peng brenda banesës.
Pas njoftimit, forcat e Policia e Shtetit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur negociatat me të riun për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Pas më shumë se një ore bisedimesh intensive, një efektiv policie, banor i zonës, ka arritur të komunikojë drejtpërdrejt me 35-vjeçarin, duke ndikuar në uljen e tensionit.
Gjatë ndërhyrjes, 35-vjeçari ka tentuar të vetëplagoset me mjetin prerës, duke marrë plagë në zonën e barkut. Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke e neutralizuar dhe duke i hequr thikën, çka bëri të mundur shpëtimin e prindërve pa lëndime.
Më pas, ai është shoqëruar në Komisariatin e Policisë në Himarë dhe më tej është transportuar në Vlorë, ku ka marrë ndihmë mjekësore në spitalin rajonal dhe është referuar për trajtim në shërbimet psikiatrike.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë u shmang një tragjedi e mundshme familjare./K.C/dritare.net