Na ndiqni edhe në

Opinione

Rexhep Qosja: Pse e shkrova romanin "Të fshehtat e treguara"!

Rexhep Qosja: Pse e shkrova romanin "Të fshehtat e treguara"!

Nga Rexhep Qosja

Posa ulem në karrige, afër tryezës së punës, në të cilën i kam shkruar pothuaj të gjithë ata libra që kam shkruar deri sot, e, mjerisht, janë më shumë se ç’do të ishte mirë për mua, m’u bë se tryeza disi e mpakur nisi të largohet prej meje.

Hej! Hej, ku do? E pyes, por ajo nuk më përgjigjet.

Je në vete apo je çmendur në këtë vapë të madhe? E pyes prapë duke mos menduar se me këtë pyetje mund ta hidhëroj, por ajo as në këtë pyetje nuk më përgjigjet.

Në vend që ta bezdis më tej me pyetje, duke pritur po- të e jo-të, u turra pas saj, natyrisht i ulur në karrige, derisa ajo, tryeza e punës, nuk u ndal te muri, në anën e djathtë të dritares.

Këtu e kam vendin unë e jo atje në mes të dhomës, tha. Tani unë po të pyes ty se kush më ka qitur atje dhe më ka qitur atje, në mes të dhomës, pa më pyetur?

Nuk dita t’i përgjigjem se kush e kishte hequr tryezën e punës prej vendit ku kishte qenë gjatë pesëdhjetë e pesë vjetëve dhe e kishte vënë në mes të dhomës, thuajse tani e tutje nuk do të shkruhej më në të, por do të luhej bixhoz!

Ndjeva një siklet, plot gëlimmendor që ma kishte sjellë në mendje atë shkrimtarin e mendimtarin e Italisë, Umberton, Umberto Ekon, i cili thotë se kishte ndier njëfarë sikleti kur ishte ulur të shkruante romanin e tij, nuk e di a ishte i fundit a i parafundit, Varreza e Pragës.

Dhe, i sigurt, prej këtij sikleti, më doli gjumi.

Ndoshta më shpejtueshëm se mëngjeseve të tjera bëra çka mendova se duhej bërë për ta marrë veten.

Vërej: asnjë send në dhomë nuk lëviz, as ato sende që janë në dysheme, as ato që janë në mure e në dritare e as ato, të paktat, që janë ngjitur në tavan.

Dëgjoj: ushtima e veturave dhe automjeteve të tjera në rrugën, që s’është larg shtëpisë sime, është e njëjtë dhe i njëjtë është edhe zëri i papagallit në kafazin e tij në paradhomë.

Prek: prek njëherë me dorën e djathtë e, mandej, edhe me të majtën, sendet që kam afër e, mandej, kur çohem në këmbë, edhe sendet e tjera nëpër dhomë: edhe sendet janë të qeta, edhe duart e mia janë të dëgjueshme!

E, mandej, ndoshta më ngadalë se mëngjeseve të tjera, bëj çka duhet të bëhet për ta quajtur veten të përgatitur trupërisht dhe shpirtërisht për t’u ulur në karrigen në të cilën gjatë pesëdhjetë e pesë vjetëve jam ulur pranë kësaj tryeze, që është ku kishte qenë gjithnjë: e mbështetur për muri në anën e djathtë të dritares së djathtë të dhomës, që quhet e imja.

Dhe, në karrigen pesëdhjetepesëvjeçare ulem pa u liruar prej sikletit që më ka shkaktuar ëndrra e rrëfyer, ndoshta jo me të gjitha cikërrimat që përmban ajo, që, mendoj, nuk do të duhej t’ia tregoja lexuesit.

Vë bërrylat në tryezë, i afroj letrat e bashkuara me një kapëse të bardhë, i afroj tre lapskimikët e trashësive të ndryshme me të cilët shkruaj - jo gjithnjë, duke i ndërruar pas çdo dy a tri orësh dhe nuk lë pa e afruar edhe celularin të cilit pa harruar ia shurdhoj zërin, kur të fortë e kur të squllët.

Marr lapskimikun e kaltër dhe ia afroj fletës së bardhë dhe shkruaj fjalën e parë të romanit Ajo, por shpejt i bie vijë dhe shkruaj emrin Havaja.

Por, ndiej: sikleti nuk më ka kaluar.

Uni im i parë pyet Unin tim të dytë: përse nuk të kaloi ai siklet?

Por, Uni i dytë, ndoshta pse është i dytë, nuk i përgjigjet Unit tim të parë. Dhe, nuk i përgjigjet ndoshta bash pse është Unë i dytë e Uni i dytë, si të gjithë unët e dytë, dëshirojnë t’i mistifikojnë përgjigjet që duhet t’u jepen pyetjeve të unëve të parë.

Megjithëse i kam lexuar shumicën e veprave të Umbertos, të Umberto Ekos, jo vetëm ato letrare, por edhe ato teorike e estetike, nuk mund të them se i kam të qarta arsyet e sikletit që i shfaqej kur ulej të shkruante romanin Varreza e Pragës, e, ndoshta, jo vetëm kur ulej të shkruante këtë roman të madh me sasi e me cilësi, por edhe kur ulej të shkruante edhe veprat e tjera, sidomos romanet e tjera. Mesjeta, prej së cilës vijnë pothuaj të gjitha temat e motivet e romaneve të tij, janë përplot jezuitë, masonë, satanistë, satanistë histerikë, karbonarë, maxinianë, thika, kama, sakica të ndryshkura, të vdekur që ngjallen, të gjallë që vdesin pa vdekur, kryqtarë e të tjerë të ngjashëm e të pangjashëm, që mund t’i kenë shkaktuar siklete të ndryshme më të shkurtra e më të gjata Atij, Umbertos.

Por, rrëfimtari i romanit me protagonistë Bardhin e Havanë mund të ketë edhe disa arsye të tjera pse sikletoset, që nuk i ka pasur shkrimtari i Italisë. Për dallim prej italianit, për mua të përveçuar, që nuk frikësohet se mund të dalë dikush e të kërkojë prej tij të shkruajë kështu e të mos shkruajë ashtu, rrëfimtari, që po rrëfen i privilegjuar si autor i romanit që do të lexoni, mund ta marrë me mend se krejt kush, i madh e i vogël, i fuqishëm e i lig, do t’i thotë të shkruajë kështu e të mos shkruajë ashtu, të shkruajë këtë e të mos e shkruajë atë, të shkruajë për njërin çka i thuhet e të mos shkruajë për tjetrin çka ai do pra, pra, ta përsëris mendimin: të shkruajë për njërën çka i thuhet e të mos shkruajë për tjetrin çka ai do.

Do, do, do! S’do, s’do, s’do!

I mbyll dhe i çel sytë nëntë herë me shpresë se sado pak do të lirohem prej sikletit, që mund të më kallë krupën, që më ishte shfaqur pas ëndrrës që kisha parë mbrëmë s’e dija ende mirë, saktë, në orën sa pas mesnatës. Ngre kryet përpjetë kur symbyllur e kur syçelur; ul kryet teposhtë kur symbyllur e kur syçelur duke kujtuar Budën, Jezuin dhe Muhametin mos ata me engjëjt a djajtë që urdhërojnë do të më lirojnë prej sikletit, por, kot: sikleti po ma sundon shpirtin. Krupa po më zë frymën!

Nuk e di pas sa kohe qërimhesapesh të brendshme me vetveten, në mbamendjen time shfaqet zgjidhja e shprehur me këtë fjali: ke vendosur të shkruash për Një siklet të madh shpirtëror dhe për Do siklete shoqërore, prandaj, nuk e di pse ke harruar se më mirë shkruhet kur ke siklet sesa kur je i gëzuar.

Fillo të shkruash! Rrëfe për veten fare pak dhe rrëfe për të tjerët, shumë, për disa shumë të njohur, disa më pak e disa aspak të njohur ende. Mos u sikleto nëse do t’i bëjë të njohur apo të çnjohur rrëfimi yt dhe rrëfimi mbizotërues i protagonistit tënd.

Dy rrëfimet e romanit dhe rrëfimtari e dy protagonistët do të kujtohen e ata do të harrohen.

Siç janë harruar kryetarët e kryeministrat dhe kryetarët e kuvendeve të Francës, të Britanisë së Madhe e të Gjermanisë në shekullin XIX, ndërsa do të kujtohen e adhurohen gjatë e gjatë Floberi e Balzaku, Bajroni e Skoti, Gëte e Shileri.

Fillo të shkruash! Trego për të fshehtat!

Të fshehtat e rëndësishme e të parëndësishme, pikëlluese e argëtuese, të përhershme e kalimtare, vendore e botërore. Të fshehtat që, si të gjitha të ndodhurat e të bërat duhet të jenë të treguara. Të fshehtat me të cilat kjo Botë jeton hanedan.

Të mos ju flas për veten: unë jam rrëfimtari, e rrëfimtari duhet të jetë sa më i padukshëm në roman; ai duhet t’ia japë fjalën protagonistit, shpesh dhe protagonistes e personazheve, që t’ua bëjë frymëmarrjen të lehtë lexuesve, t’u sjellë të ofshamët dhe, pse jo, edhe atyre asnjanësve që nuk u sjell as gëzim as hidhërim./ Parathënia e romanit "Të fshehtat e treguara", botuar më 25 qershor 2020!/dritare.net

Rexhep Qosja: Pse e shkrova romanin "Të fshehtat e treguara"!