Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fjalë të veçanta!

Fjalë të veçanta!

Nga Rexhep Qosja!

Fjalë të veçanta!

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!

Bardh! Bardh, qe, ta solla këtë letër me disa fjalë që duhet t’i përkthesh gjermanisht. Gjermanisht? Po, po, gjermanisht. E kujt i duhen ato? I duhen një gjermani me mision të veçantë në Kosovë. Si quhet ai gjerman? Martin Shmit. E cilat janë ato fjalë? I ke të shkruara, në letër, i sheh kur të fillosh t’i përkthesh, por edhe mund t’i lexoj në qoftë se do që tani. Lexomi, lexomi, që t’i dëgjojmë bashkë. Alfabet, analfabet, bashibozuk, cjap, çorap, dallkauk, dhe, dhe...

ALFABET

Alfabet është emër i përgjithshëm, të cilin e përbëjnë shkronjat me të cilat shkruhet gjuha e popullit shqiptar që quhet gjuha shqipe. Siç e dini alfabet ka çdo gjuhë. Por, alfabet është emër i përgjithshëm me të cilin shkruhen gjuhët e shumë popujve, siç janë, fjala vjen, gjuha angleze, gjuha arabe, gjuha frënge, gjuha spanjolle, gjuha portugeze e shumë gjuhë të tjera. ndryshëm të shkronjave: disa kanë më shumë e disa kanë më pak shkronja. Siç e dini, alfabetet e ndryshme mund të kenë numër të ndryshëm të shkronjave: disa kanë më shumë e disa kanë më pak shkronja.

Alfabeti i gjuhës shqipe hyn ndër alfabetet me numrin më të madh të shkronjave: i ka gjithsej 36 dhe me shkronja: tridhjetë e gjashtë shkronja. Më pak shkronja, thuhet, kanë gjuhët më të përsosura e më shumë gjuhët më të përbëra. E kjo më të përbëra do të thotë natyrisht më të koklavitura. Meqenëse i ka 36 shkronja, kurse italishtja 26, gjuha shqipe bën pjesë ndër gjuhët e quajtura të koklavitura, që nuk kanë mundur të shkoklaviten as gjatë shumë e shumë shekujve, në të vërtetë, as gjatë mijëra vjetëve prej se fliten, që nuk kanë arritur t’i shkoklavisin as pushtuesit e as studiuesit. Dhe, kjo është e kuptueshme. Një gjuhë është ashtu e koklavitur kur janë të koklavitur folësit e saj. Duke qenë të organizuar në fise, disa prej të cilëve jetonin pa lidhje me fiset e tjera, shqiptarët me vonesë do të bëhen popull e, mandej, me vonesë, edhe komb: komb i koklavitur! Ish-diktatori iluminist shqiptar, Enver Hoxha, për të cilin besoj të keni dëgjuar e të keni lexuar, jo vetëm prej se jeni këtu, në Shqipëri e në Kosovë, është përpjekur ta shkoklavisë popullin shqiptar, prandaj edhe gjuhën shqipe dhe kur ka parë se ky popull nuk shkoklavitet me të mirë ka bërë shumë për ta shkoklavitur në mënyrë tjetër, me mjete të tjera: me gjykime, me burgime, me dënime, të një numri, në të vërtetë, të atyre më të koklaviturve nga radhët e folësve të shqipes! Por, Enver Hoxha nuk është as i pari e as i fundit sundimtar që popullin e vet është përpjekur ta sjellë në vete në atë mënyrë, me gjykime, me burgime e me dënime. Dajaku, burgimet dhe gjykimet janë mjete të vjetra e të reja të numrit më të madh të popujve europianë, që kanë ndërtuar rende pushtetore inkuizicionale, tiranike, despotike dhe diktatoriale. Fjala alfabet, ndërkaq, ka edhe kuptim simbolik. Alfabet në gjuhën shqipe quajmë edhe të parën, më të mirën, më të rëndësishmen nga radha e gjërave, dukurive, vlerave, proceseve, njerëzve, shtazëve, shpendëve. E të tjerave. Alfabet është fjala që ka frymëzuar krijimin e një vargu fjalësh të tjera, si, për shembull, fjalën analfabet!

ANALFABET

Analfabet është ai që përfaqëson pak, fare pak apo aspak, pak gjë apo asgjë në punët me të cilat merret. Analfabet në Vajazan quajnë njeriun e gjinisë mashkullore që s’di çka duhet, që di pak, apo aspak, asgjë, në punët me të cilat merret. Analfabet në Vajazan quajnë shkollarin që ka kaluar të gjitha shkallët e shkollimit, madje edhe të doktoraturës, që bën çmos të tregojë sa shumë di e, në të vërtetë, di krejt pak, pak, edhe për çështjet që ka trajtuar në doktoraturën e tij. Analfabet në Vajazan quajnë shkrimtarin që shkruan shumëçka, shkruan vjersha, poema, drama, tregime, romane, që s’vlejnë, thuhet, as pesë pará, dhe që nuk ia lexon kush. Analfabet në Vajazan quajnë edhe politikanin që mund të ngrihet deri në postet më të larta të shtetit, deri në postin e kryetarit e të kryeministrit, por për punët e shtetit di aq sa dinë amviset pa asnjë ditë shkolle për Teorinë e Relativitetit të Ajnshtajnit. Analfabetët politikë e shtetërorë, thuhet, janë metafora e analfabetizmit shoqëror, politik, moral, shtetëror dhe kombëtar të shqiptarëve! Nuk po e thotë këtë protagonisti këtu në rolin e rrëfimtarit të këtij romani, jo; Bardh Dynjaja, pra, vetëm sa po i paraqet me keqardhje këtu dëshpërimet Analfabetët politikë e shtetërorë, thuhet, janë metafora e vajazanasve. Madje edhe të Arlind Dushinës, të Malësore Tushës e të Çaushit.

BASHIBOZUK

Në Fjalorin e Shqipes së Sotme, zotëri Shmit, bashibozuk quhej ushtari i trupave ndihmëse, të parregullta, në Perandorinë Osmane. Sot, ndërkaq, bashibozuk quajmë pjesëtarin e trupave të çrregullta që vrasin e plaçkitin popullsinë. Në bashkëbisedimet, o sa të shpeshta, të përditshme, të njerëzve, sot, bashibozuk quhen ata që duan të tregohen të fuqishëm në shumëçka, sidomos në pushtet, të fuqishëm duke zhvatur, duke vjedhur, duke plaçkitur, duke rrahur, duke frikësuar me gojë e me duar të tjerët. Prej bashibozukëve nuk e keni të lehtë të ruheni as ju ndërkombëtarët, megjithëse jeni të siguruar e të mbrojtur prej uniformave tona e tuaja - ndërkombëtare këtu. CJAP

Cjapi është shtazë. Katërkëmbëshe. Është mashkulli i dhisë. Meqenëse në bjeshkët shkëmbore e në luginat e shumta të Francës keni shumë dhi e cjep, nuk po them më shumë fjalë për cjapin: për dukjen, aftësitë, bukurinë dhe jetëgjatësinë e tij. Në bashkëmarrëveshjet e përditshme në gjuhën shqipe fjala cjap nuk përdoret figurativisht për të damkosur a fyer kënd, përkundrazi përdoret për të shquar ndonjë cilësi të rrallë të ndokujt, si, fjala vjen, aftësinë e ngjitjes nëpër viset shkëmbore gjeografike a politike apo aftësinë e madhe seksuale.

ÇORAP

Çorap quhet jo veshja, jo, po mbathja e këmbëve me punëdoret e grave kryesisht prej leshit apo me prodhimet industriale, që janë të gjata më së shpeshti deri te gjunjët. Çorapët që thurin gratë mund të jenë shumë të bukura, me shumë qëndisje ngjyrash të ndryshme. Fjala çorap përdoret figurshëm për të paraqitur dikë që bën punët ngatërrueshëm, që i bën punët, si thuhet, lesh e li. Fjala çorap mund të përdoret edhe për të treguar dikë që kur flet e hap gojën shumë dhe me të thotë edhe çka nuk thuhet! Prandaj thuhet edhe gojëçorap/e.

DALLKAUK

Dallkauk në gjuhën shqipe quhet njeriu që e flet njërën, por bën tjetrën, që u lajkatohet të pushtetshmëve, që rren e mashtron të tjerët, që leverditë e veta përpiqet t’i sendërtojë 88 me çdo mjet. Numri i dallkaukëve, si mund të dëgjohet prej qytetarëve, në këtë kohë është shtuar shumë. Numri i dallkaukëve është shtuar shumë në këtë demokracinë e quajtur gënjeshtare, demokraci gënjeshtare.

DHE

Dhe në gjuhën shqipe përdoret si lidhëse gramatikore dhe si emër. Ju, prandaj, mund ta keni dëgjuar shpesh fjalën a lidhësen dhe dhe s’e keni pasur të qartë se kur është përdorur si lidhëse e kur si emër. I dallon shqiptimi. Në gjuhësi quhen homonime. Po jua jap një shembull kur përdoret si lidhëse: U zgjua herët dhe menjëherë lau faqet. Po u jap një shembull kur përdoret si emër: Dhe - dheu është lënda natyrore nëpër të cilën ecim, vrapojmë, ngjitemi e zbresim, në të cilën mbjellim të mbjellat, rriten barërat e pemët, varrosim të vdekurit. Po ju jap edhe një shembull tjetër: Dhe, mund të quhet edhe planeti i Tokës, domethënë planeti ynë, domethënë rruzulli tokësor, që bashkë me ne të gjallët e të vdekurit, sillet rreth Diellit. Po jua jap edhe një shembull: Dhe mund të quhet edhe vendi, shteti, ku jetojmë. Po ju jap edhe një shembull: Dhe, thuhet në Fjalorin e shqipes së sotme, quhet edhe populli i një vendi. E të tjera. Jam i gatshëm, zotëri Shmit, në qoftë se dëshironi, t’ju përkthej me shpjegime të domethënies edhe fjalë të tjera të shqipes, të cilat ende s’i keni të qarta.

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net