Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ç'ka dua unë, se di a do edhe ti!

Ç'ka dua unë, se di a do edhe ti!

Nga Rexhep Qosja!

Ç'ka dua unë, se di a do edhe ti!

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!

Teksa u çova në këmbë të vesh pallton, të vë më parë shallin, të marr çantën me trembëdhjetë shkrime për tema të ndryshme, që m’i dhuroi interneti për përkthim, në derë m’u vizatua Hajri Hashani. S’ka nevojë t’u tregoj më gjerësisht lexuesve se kush është ai, si duket, me çka merret, sa është i nderuar, madje, i adhuruar, për çka është ashtu i nderuar e i adhuruar, sepse gati të gjithë ju mund t’i dini përgjigjet që do t’jua jepja. Por, po ju them shkurt: ai është njeri i asaj aradhës së gjatë të njerëzve të shekullit njëzet e një, pra të këtij shekulli, në të cilën u futëm shumë të gëzuar, që sillet si njerëzit e shekullit tetëmbëdhjetë.

Pse them kështu për të? Them kështu, sepse ai të vjen në shtëpi, a në zyrë, a në spital, a në pishinë, a në bjeshkë, a në vërri pa të lajmëruar as me fyell, as me bri të dhisë, siç të vinin mysafirët në shekullin tetëmbëdhjetë!

Pa e kryer unë strofën e vargjeve të parimuara të mirëseardhjes, që ia dëshirova rrejshëm, ai e zbrazi batarenë e fjalëve të tij:

- Kam ardhur të të tregoj, tha, se çka dua unë në këtë botë, në këtë botën tonë e çka do të ishte mirë të duan edhe të tjerët, ata që e flasin gjuhën, që e flasim edhe unë e ti, ata që mendojnë duke e mbështetur mendimin në venomet, në zakonet, në adetet, në të cilat e mbështesim edhe unë e ti, që janë venome, zakone, adete shumë të lashta, që janë ruajtur në sajë të përsëritjeve me gojët e më të mençurve tanë. E kjo goja e njeriut, është dhurata më e madhe, më e shtrenjtë të cilën i Madhi Zot ia ka dhuruar njeriut, këtij njeriu që me fjalët e shqiptuara me gojë mund të bëhet kur i bekuar e kur i mallkuar! Por, me këtë gojë, qe, dëgjo, gjithnjë e më shpesh po thuhet gjithçka, çka duhet e çka s’duhet, çka e vlen e çka s’ia vlen të thuhet, të thuhet e të bluhet! E unë do t’ju them, natyrisht, vetëm çka duhet të thuhet, sepse unë s’jam nga ata që thonë çka s’duhet të thuhet! Ti je përkthyes, përkthyes që punon në një institucion në të cilin prej fjalëve bëhen libra, bëhen vepra që shiten e blihen. Çka doni ju aq shumë në këtë jetën tokësore?

Dua shumëçka që ty të pëlqen, por edhe shumëçka që ty mund mos të të pëlqejë.

Për shembull?

Bismilahi rrahmani rrahim!

Unë, sot, kur me bekimin e Allahut, xheleshane hu, po i mbush 89 vjet, po ua lë trashëgim pasardhësve të gjitha ato që dua unë.

E unë dua: Dua, dua, pa masë dua çdo gjë të gjallë, të bërë prej mishit e gjakut, prej mishit e shpirtit. Dua rrezet e diellit që na ngrohin në çdo stinë, që na ndriçojnë çdo ditë, që na ndriçojnë rrugët, që na ndriçojnë të sotmen e të nesërmen. Dua dheun, dheun e të gjitha ngjyrave, të zezë, të përhirtë, të vrugtë, të kafenjtë, të bardhë, mandej të të gjitha gjendjeve: të fortë, të butë, të lagur, të tharë, të ujët, të gurtë, të hollë, të trashë, të përhirtë, të ngjiztë! Dua frymën, ajrin, kur s’e ndien fare, kur s’e sheh fare, kur s’lëviz fare, kur fryn fort, kur bëhet shtrëngatë, kur është valë, kur ta zë frymën, kur të merr me vete, kur bëhet shtjellë e të mbështjell si të ishe leckë, si të ishe leckë, që fluturon me të e nuk di ku do të të çojë - në qiell lart a në tokë thellë! Në xhenet a në xhehenem! Dua ujin kur rrjedh ngadalë, kur ndalet e nuk lëviz aspak, kur bëhet përrua, kur bëhet she, kur bëhet lumë, kur bëhen bërrakë, kur bëhet liqen, kur bëhet det, kur bëhet oqean, kur është si loti i kthjellët, kur është i turbullt, kur mund të pihet e kur s’mund të pihet, kur është i ftohtë akull, kur është i nxehtë valë, kur mund të lahesh e kur s’mund të lahesh me të, kur ngrin e rrëshqet në të, kur shkrihet e vërshon ara e livadhe! Bashkë me ty e me ta! Dua njeriun, njeriu pavarësisht çfarë ngjyre ka, çfarë prejardhje ka, çfarë kombësie ka, çfarë feje ka, çfarë gjuhe flet, çfarë alfabeti përdor, çfarë gjinie është, çfarë moshe ka, çfarë rrobash vesh, çfarë almisesh përdor. Por, por, por mos më shtjer Zot në gjynah, prej të gjithë njerëzve më së shumti i dua gratë, gratë e reja kur jam i ri e ato të moshuarat i plakur.

Dua fytyrat e grave, sytë dhe vetullat e grave, buzët dhe lëkurën e grave, erën e trupit të grave, gjatësinë dhe dendësinë e flokëve të grave, dy mollët e gjinjve të grave, të mesmet më shumë se ato të voglat apo ato shumë të mëdhatë, kërthizën dhe kofshët e grave me atë parajsën mes tyre, posaçërisht atë parajsën prej së cilës kemi dalë në jetën që jetojmë të gjithë ne që jemi të gjallë në këtë tokë dhe të gjithë ata që s’janë të gjallë, po nën tokë, në atë jetën tjetër. Dua shtazët e buta dhe shtazët e egra, të butat pse janë të buta dhe të egrat pse janë të egra, numri i të cilave në tokë kurrë nuk dihet plotësisht. Edhe shtazët e buta, edhe shtazët e egra, e pasurojnë me krijesa të gjalla këtë botën tonë që i themi Tokë, që kanë të drejtë të jetojnë jo vetëm pse prej të gjithave kemi dobi të ndryshme, por edhe pse janë krijesa të gjalla dhe kanë të drejtë, si edhe njerëzit, të jetojnë, të jetojnë e të vdesin - si njerëzit. Dua zogjtë dhe i dua për shumëçka, por më së shumti pse fluturojnë siç nuk mund të fluturojë njeriu. E prej tyre posaçërisht shumë i dua shqiponjat, që mund të fluturojnë lart, që mund të shohin larg, dallëndyshet që mund të fluturojnë gjatë, shumë gjatë e shumë shpejt, pa u ndalur, e që mund të ushqehen duke fluturuar; bilbilat që mund të këndojnë bukur, aq bukur sa Edit Piaf dhe Vaçe Zela, Merita Halili; ata zogjtë e Amazonës, që kanë ngjyra të ndryshme që s’mund të prodhohen prej kurrfarë fabrike dhe s’mund të bëhen prej kurrfarë bashkëdyzimesh kimike që ka krijuar njeriu.

Dua njerëzit e mirë, njerëzit e mençur, që nuk e shesin mençurinë, njerëzit e fortë, me butësi e jo me takat, njerëzit që dinë të thonë po kur duhet dhe jo kur duhet, kur është e nevojshme, njerëzit që dinë të kthejnë kokën djathtas e majtas kur duhet ta kthejnë kokën djathtas a majtas, njerëzit që mbajnë kokën drejt kur duhet ta mbajnë drejt, as duke e ngritur kokën lart e as duke e ulur kokën poshtë, sepse koka e ngritur lart e koka e ulur poshtë u sjell leverdi. Dua njerëzit që nuk puthin duar e mos o Zot që puthin këmbë, sepse me ato puthje mbushin xhepat; dua të rinjtë që ecin shpejt kur duhet dhe e ngadalësojnë hapin kur çojnë pluhur me hapa të shpejtë dhe të rinjtë që në vend të uiskit pinë ujë, në vend të rakisë lëng mollash a pjeshkash, në vend të kanabisit çaj kaçash, në vend të marihuanës kafé, në vend të heroinës çaj indian, dua të rinjtë që mbledhin pulla postare me të dhëna gjeografike; dua posaçërisht ata që quhen intelektualë, jo për shkak të diplomave, të magjistraturave e të doktoratave, por për shkak të dijes së tyre që kanë, me të cilën mbrojnë të vërtetën, të drejtën; dua ata që ecin përpjetë edhe nëpër teposhte, ata që të keqen e shohin ku është e jo ku urrejnë, ata që lakuriqësinë nuk e quajnë kulturë; ato vajza që bukurinë e tregojnë edhe me mendim e jo vetëm me prapanicë; ata, që i thonë jo marrëzisë, ata që i thonë po virtytit, ata që i buzëqeshin përkrahshëm të varfrit e largueshëm të pushtetshmit, dua ata... ato... ata... ato... duhet ta ndërpres monologun se monologët e këtillë nuk kanë fund. Qe, të kallëzova çka dua Bardh, Bardh Dynjaja, dhe besoj se kjo çka dua të ka bërë me dije çka s’dua.

E besoj se çka dua unë, do edhe ti.

E besoj se çka s’dua unë, s’do as ti.

Po ia lë përgjigjen natës së varrit.

Pa e kryer fjalën Hajri Hashani sytë e mi u mbushën/dritare.net

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net