Mbytet anija me emigrantë në Mesdhe. 116 të vdekur, vetëm një i mbijetuar
Dritare.net

Një tjetër tragjedi e rëndë ka goditur Detin Mesdhe, ku një anije me emigrantë është mbytur gjatë udhëtimit drejt Evropës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 116 personave. Lajmi është konfirmuar nga organizata humanitare Sea Watch, e cila bën me dije se nga të gjithë pasagjerët në bord, vetëm një person ka arritur të mbijetojë.
Sipas informacioneve paraprake, anija ishte nisur nga brigjet e Libisë, por pak kohë pas nisjes kishte dërguar një sinjal emergjence SOS. Më pas, çdo kontakt me të është ndërprerë. Operacionet e kërkimit kanë rezultuar pa sukses, deri në momentin kur një anije peshkimi tuniziane ka gjetur të vetmin të mbijetuar, i cili është shpëtuar dhe dërguar në vend të sigurt.
Sea Watch dhe organizata të tjera humanitare theksojnë se mbytja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës, ndërsa mungesa e një pozicioni të saktë gjeografik e ka bërë edhe më të vështirë ndërhyrjen në kohë. Frika është se shumica e emigrantëve janë mbytur brenda pak minutash, për shkak të mbingarkesës së anijes dhe kushteve të rrezikshme në det.
Kjo ngjarje konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda të emigrantëve në Mesdhe, duke rikthyer vëmendjen te rreziqet ekstreme të rrugës detare nga Afrika e Veriut drejt Evropës. Organizatat humanitare u bëjnë thirrje autoriteteve evropiane për më shumë operacione shpëtimi dhe për krijimin e rrugëve të sigurta për emigrantët, në mënyrë që të shmangen humbje të tjera jetësh njerëzore./K.C/dritare.net