Nga Rexhep Qosja/ Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"
Jam i vetëdijshëm se lexuesit dëshirojnë të dinë në mos jo çdo gjë, së paku sa më shumë, për protagonistët kryesorë të romaneve që marrin të lexojnë. Me dëshirë që të kënaq deri diku këtë interesim të arsyeshëm të lexuesve të romanit, të cilit ende s’ia di titullin, për kryeprotagonistin e tij po sjell këtu, menjëherë në fillim të rrëfimit, disa të dhëna për të, të shkruara me dorën e tij, disa prej tyre e të mbledhura prej rrëfimtarit në gazeta e në revista, në televizione e në radio, në spital e në sigurimet shtetërore disa të tjera.
Unë, kryeprotagonisti i romanit të patitull quhem Bardh Dynjaja.
Jetoj në qytetin kryeqytet i Kosovës.
Jam i martuar me Hava Gjylametin.
Kemi dy fëmijë, vajzë e djalë. Anilën dhe Likun.
Sot, kur po i qes këtu këto të dhëna, kam mbushur boll
vjet, s’po ju them sa.
Për mua, nuk mund të mos e them, më e rëndësishme se ku jetoj është ku kam lindur. Dhe, është më e rëndësishme jo pse jam i lumtur që kam lindur ku kam lindur, por pse të kaluarën e vendlindjes sime nuk mund ta largoj asnjë çast prej kujtesës sime; në të vërtetë vendlindja është barra që gjithmonë e gjithkund, ditë e natë, dimër e verë, e mbaj në shpinë e në shpirt!
Kam lindur në fshatin F. Në Kosovë.
Gjatë Luftës së Dytë Ballkanike fshati F. ishte njëri prej dyzet e nëntë fshatrave shqiptare të Kosovës, që ushtria serbe dhe ushtria malazeze i kishin djegur plotësisht duke vrarë të gjithë meshkujt e tyre të mëdhenj e të vegjël, që kishin mbërritur t’i shtinin në duar? Gjyshi im, Shok Dynjaja, ishte prej të paktëve që kishte ikur me kohë me të shoqen, me nënën e me të birin e vetëm, babanë tim të ardhshëm. Do të mbërrijnë, për fatin e tyre dhe të tjerëve që kishin mbetur gjallë pas masakrës serbo malazeze, në Siri, më falni, në Shkodër, në Shkodrën tonë të dashur ku do të jetojnë deri në fund të Luftës së Parë Botërore.
Në fshatin F., që ka gjithsej gjashtëdhjetë e shtatë shtëpi, të ngritura pas Luftës së Dytë Botërore, dhe vetëm nëntë themele të ruajtura si dëshmi historike të shtëpive të djegura, do të kryej shkollën fillore, kurse tetëvjeçaren, shkollën e mesme dhe Fakultetin e Filologjisë do t’i kryej në kryeqytet. Në Fakultetin e Filologjisë do të studioj Gjuhën dhe Letërsinë Franceze si lëndë të parë dhe Gjuhën e Letërsinë Angleze si lëndë të dytë. Pas diplomimit do të më bëhet i mundshëm specializimi në Francë, në qytetin Lion.
Qe rreth tre muaj jam i pranuar në punë në Arkivin Qendror të Kosovës si përkthyes, kurse në dokumentin e punësimit shkruan përkthyes arkivist. Nuk mund të mos e them se unë, vetë, ndihem më i lumtur - si përkthyes sesa si përkthyes arkivist. Arsyet e kësaj ndjenje që kam nuk po i tregoj me shpresë se lexuesi do t’i kuptojë gjatë leximit të romanit.
Ditën kur i kam çuar dokumentet për punë në Arkiv dhe ditën kur më është dorëzuar dokumenti i pranimit në punë si përkthyes arkivist, më është thënë se detyrat e mia aty do të jenë të ndryshme, qoftë si detyra të përkthyesit, qoftë si detyra të arkivistit. Do të hulumtoj çka do të kërkohet të hulumtoj; do të përkthej çka do të dëshiroj, por shumë më tepër çka do të kërkohet prej drejtuesve të Arkivit që të përkthej prej gjuhëve të huaja që di, në gjuhën shqipe dhe prej gjuhës shqipe në ato gjuhë të huaja! Dhe, këto fjalë që m’u thanë ditën kur i paraqita dokumentet për punësim aty dhe këto fjalë që m’u thanë ditën kur m’u dha dokumenti se jam pranuar në punë aty, më bëjnë të mendoj se unë e di kush jam, por tani për tani nuk mund ta di se kush do të jem!
Bardh Dunjaja, dora vetë. Në Arkivin Qendror të Kosovës.
Bardh Dynjaja është përkthyes i brezit të mesëm të përkthyesve tanë. Konsiderohet si njëri prej njohësve më të mirë të gjuhës e të letërsisë franceze në Kosovë, specializuar gjatë dy vjetëve në Francë, si bursist i Ministrisë sonë për Arsim, Shkencë e Teknologji. Deri tash ka përkthyer një varg veprash të letërsisë franceze, kryesisht në prozë, por edhe dy romane nga letërsia amerikane: njëri roman i Ernest Hemingueit e tjetri roman i Uiliem Foknerit. Ai çmohet përkthyes më i guximshëm se të tjerët, më drejt të thuhet se disa të tjerë, për shkak se i hyn përkthimit edhe të veprave të disa autorëve shumë të vështirë për përkthim, siç është, për shembull, nobelisti i njohur Fokneri. Po një përkthim i tij është konsideruar i paqartë, i ngatërruar, i pakuptueshëm, prandaj edhe nuk ka fituar pëlqimin e recensuesve për botim jo vetëm në shtëpinë botuese Zodiaku, por në asnjë shtëpi tjetër botuese serioze në Kosovë. Këto përkthime do t’i botojë një shtëpi botuese, që i është përkushtuar përkthimit dhe botimit të disa veprave avangarde, pavarësisht sa të pakuptueshme janë ato!
Gazeta Zodiaku i Shtëpisë Botues Zodiaku, nr. 9, 9 mars 2016
Më shpesh se përkthyesit e tjerë, Bardh Dynjaja shihet në Zagreb, në Romë, në Stamboll, në Londër, por më së shpeshti në Paris.
Ka qejf të thotë se prej andej sjell botën në kulturën dhe në letërsinë tonë.
Të tjerët thonë se më e rëndësishme se të mësojmë çka sjell prej andej është të mësojmë se çka çon atje.
E atje, thonë, çon vetëm përkthimet e veta. Dhe, mendimet e veprimet e të tjerëve.
Ende nuk dihet cilët kanë më shumë të drejtë: ata që tregojnë çka çon apo ata që tregojnë se çka sjell.
Deklaratë e përsëritur e gazetarit Gani Qameti dhe e botuar në të përjavshmen,
20
Satirikoni, nr. 117, 5 prill 2016/dritare.net