
Nga Rexhep Qosja!
Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!
Jam mbledhur galuc në këtë zyrë! Në zyrën e arkivit.
Mendjen e kam te Havaja. Te këmba e saj e djathtë që
po e ngre zharg dhe te duart e saj prej të cilave aq lehtë po i bien sendet, madje edhe çanta!
Më sjell në vete Filipi, Filip Suma, drejtori.
Erdha të të shoh, një dakikë, e të të pyes si po e ndien veten këtu, në këtë zyrë të vogël?
Mirë, mirë.
Të ishte më e madhe do të ishte më mirë, ti je arkivist
përkthyes e të duhen shumë libra. Është biblioteka afër, në katin e parë dhe mund shkosh për libra aty kur të duash.
Mirë, mirë, e përsëris përgjigjen.
Do të kemi një manifestim, këtu, këto ditë dhe ma kanë dërguar një tekst që duhet ta përkthesh më shpejt. Nuk është dokument arkivor, por fjalim e ndonjëherë do të detyrohemi t’u përkthejmë edhe fjalime disa figurave, disa
personaliteteve. Apo jo? Dhe, disa kolegëve si këtë tekst tani. Apo jo?
Mirë, mirë, e përkthej. Kur duhet të jetë gati?
Sa më shpejt, ndoshta pasnesër.
Paska kohë.
Por, ne këtu, në arkiv, atyre lart s’duhet t’u bëjmë vetëm përkthime herë nga gjuhë të tjera në shqipe e herë nga shqipja në ato gjuhë. Kupton çka, besoj, çka tjetër duhet t’u bëjmë atyre pos përkthimeve.
E çka duhet tjetër të bëjmë për ta?
Duhet t’ua shkruajmë ndonjëherë edhe fjalimet,
Aspak nuk kuptoj pse i kanë bërë kaq të vogla zyrat në cilat njeriu duhet të jetë shtatë-tetë orë në ditë, në ditë e në natë! E ndërroj temën.
Tavani i ulët e bën edhe më të papërshtatshme, më të papërshtatshme për trupin, për sytë dhe për mendjen këtë zyrë kaq të vogël, të vogël, u kam thënë atyre lart; po kot.
Mjerisht të gjitha zyrat e kësaj ndërtese prej 4337 metrash katrorë në të cilën është Arkivi Shtetëror, më i rëndësishmi që kemi, janë kështu të vogla.
Edhe juaja, a?
Jo, jo, zyra ime, nuk duhet të quhet zyrë po kabinet,
kabineti im është i madh, përgjigjet i lumtur drejtori.
Arkitekti që e ka bërë planin e kësaj ndërtese ka kryer
fakultetin këtu, në universitetin tonë, apo diku tjetër,
në ndonjë shtet tjetër? Kudo ta ketë kryer ai sikur e ka
banalizuar profesionin e tij duke bërë këso zyrash si kotece të derrave!
Derrat janë shtazë shumë të zgjuara, më përgjigjet turr drejtori, prandaj s’mund ta krahasoni me të atë arkitekt.
Tryezat e punës, të gjitha tryezat e punës nëpër zyra, janë si e sa kjo e jotja: një metër e gjashtëdhjetë centimetra të gjata dhe një metër e tridhjetë centimetra të gjera. Në to mund të vihen kompjuteri, një fletore e vogël, një kimik dhe shuplakat e dy duarve pa gjë në to!
Mrekulli!
E karriget? Apo e shihni karrigen time si është? Kur
ulesh në të e kur çohesh të përkëdhel veshët me ato rrak-taket e saj! Ende nuk më ka ndodhur të rrëzohem me të në dysheme, por do të më ndodhë mua dhe të tjerëve nëpër zyra!
Mrekulli!
E atë varësen a po e shihni atë varësen? Pas derës? Po u çel dera si më shpejt, siç e çelin shumica e të rinjve, e tremb nëpunësin e ulur në këtë karrige!!
Mrekulli.
E kam uruar ministrin e Arsimit, të cilin e kam lutur që t’ia çojë këtë urim edhe kryeministrit, për mrekullitë e institucionit tonë, dhe po pres përgjigjen, më thotë i lumtur drejtori dhe del, duke më uruar punë të mbarë dhe gjithë të mirat.
Nuk i the krejt çka do të duhej, më qorton Uni im i dytë.
E çka tjetër do të duhej t’i thosha?
Do të duhej t’ia thoshe ato që po i mendon kur je vetëm.
Çka, për shembull?
Do të duhej t’i thoshe, për shembull, se, se, se neve për fat na janë zvogëluar të gjitha masat e përmasat, gjatësitë, gjerësitë, lartësitë, ultësitë, mirësitë e aftësitë e trupit, të mendimeve, të virtyteve, të pasurive, të shikimeve, të dëgjimeve.
Na i kanë zvogëluar këta, e di, e di mirë ti, kush janë
këta. Kohë pas kohe po lutemi, shumica po lutemi, por lutjet nuk po na ndihmojnë.
E kujt po i lutemi ashtu? Apo i lutemi kujt duhet, ma
ngjet për gjuhe Uni im i dytë, i hidhëruar.
Po i lutemi herë Zotit. E herë Shtatë princave të Ferrit:
herë Luciferit,
herë Mamonit,
herë Amadeusit,
herë Leviatanit.
herë Belzebubit,
herë Satanës,
herë Belfegorit!
Por ata, më shpejt se ç’do të na ngrenë përpjetë do të na lëshojnë teposhtë!
Kryesorja të lutemi!
Jemi mësuar të lutemi!
Lutu dje e lutu sot!
Ende nuk kemi kuptuar se lutjet nuk po na bëjnë çare!
Të katër besimet - e shumëperëndishmja, ose, si i
thonë me fjalë të huaj, animalja, katolikja, ortodoksja dhe myslimania, të cilat shpesh i kemi ndërruar njërën me tjetrën, të parën me të dytën, të dytën me të tretën e të tretën me të katërtën, kurse tani po i ndërrojmë anasjelltazi, na janë bërë lutje, vetëm lutje! Boshe! Lutu sot e lutu nesër! Lutu ditën e lutu natën! Lutu në acar e lutu në vapë! Lutu në luftë e lutu në paqe! Dhuruesit e këtyre lutjeve nuk lodheshin fare pse lutjet e tyre nuk na ndihmuan kurrë. Jo, jo! Ata na i kanë dhuruar për të mos na ndihmuar!
Nuk po ua them emrat e dhuruesve dhe të predikuesve të lutjeve, sepse druhem mos do të hidhërohen shumë e kur të hidhërohen shumë ata mjerë ne!
Mos u bë vesvese kaq shumë! Vesveselinjtë e frikacakët s’e kanë as këtë jetë e as atë jetë!
Po flas pa lidhje e ti po më dëgjon kujdesshëm, i them
Unit tim të dytë!
Vazhdo, vazhdo, s’e ke keq.
Dita e djeshme më dhuroi një gëzim që s’e kisha pritur
dhe ma dhuroi përmes internetit. Një predikues, të cilit as nuk ia mësova emrin, as kuptova se në cilin universitet punonte, pas lavdërimeve antologjike që u bëri ndryshimeve të përmasave që po ndodhin në trupin e species njeri dhe në të gjitha aftësitë e tij mendore, e mori shembull gjenialiteti vogëlsinë e hapësirave të brendshme të arkivave e të burgjeve, që kanë karakterizuar tri epoka: Epokën e Mesjetës - Epokën e Inkuizicionit, Epokën e Fashizmit dhe
Epokën e Postvërtetës.
Njerëzimi po idiotizohet gjithnjë e më shumë dhe gjithnjë e më shpejt!
Qytetërimi po bëhet gjithnjë e më i shpërfytyrëzuar dhe gjithnjë e më i rrejshëm!
Kultura po bëhet gjithnjë e më e shtirë!
Më shumë se Nevojtoreve era Mut po u vjen shteteve!
Mbylleni gojën!
Mbyllini hundët!
Mbylleni gojën, a morët vesh, sa, sa, sa, sa, s’na e kanë
mbyllur këta të mallkuarit!
Edhe një mallkim më shumë që na e sjellin të mallkuari.
Me Havajën në mendje, shikoj zbrazëtirën!/dritare.net
*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net

















