Përcillet në banesën e fundit gazetari Namir Lapardhaja
Dritare.net

Gazetari dhe analisti Namir Lapardhaja u përcoll sot në banesën e fundit në varrezat e Burdulliasit në Berat, mes dhimbjes së familjarëve, miqve dhe kolegëve. Në ceremoninë mortore morën pjesë figura të jetës publike, gazetarë dhe intelektualë, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për figurën e tij.
Mes të pranishmëve ishin deputeti socialist Erion Braçe, publicisti Preç Zogaj, ish-prefekti i Beratit Roland Bejko dhe analisti Yzedin Hima, të cilët vlerësuan kontributin e Lapardhajës në gazetari, letërsi dhe jetën publike.
Pas homazheve, Namir Lapardhaja u përcoll mes lotëve, kurorave me lule dhe karafilave të kuq.
Gazetari u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare në Gjermani, në orët e para të mëngjesit. Dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë një trombozë në sistemin e qarkullimit të gjakut.
Namir Lapardhaja ishte autor librash, esesh dhe një numri të madh artikujsh, ndërsa kujtohet si një zë kritik dhe një figurë aktive në debatin publik shqiptar./K.C/dritare.net