Çdo sekondë online: Gratë në rutinën e re ‘play & pause’
Dritare.net

Nga Malvina Tare
“Lifestyle sharing”, realiteti i përditshëm për mijëra gra dhe vajza në të gjithë botën. Dita që dokumentohet sekondë pas sekonde në video dhe foto, duke përfshirë edhe çfarë veshin para se të dalin nga shtëpia apo markat që përdorin gjatë rutinës së tyre. Kjo nuk është më vetëm një mënyrë për të ndarë momente personale është një formë e re e komunikimit social ku identiteti dhe vetëvlera shprehen përmes imazheve të kujdesshme dhe përzgjedhjes së brendeve.
Sociologët e identitetit dhe komunikimit social e shpjegojnë këtë fenomen përmes teorisë së prezantimit të vetes, e cila fillimisht u konceptua nga Erving Goffman, duke krahasuar sjelljen sociale me një “performancë në skenë”. Në kontekstin e rrjeteve sociale, individët nuk janë thjesht pjesëmarrës ata janë aktore që prezantojnë një version të kontrolluar të vetes për një audiencë të padukshme.
Në studimet sociologjike dhe psikologjike të përdorimit të rrjeteve sociale, koncepti i vetëprezantimit selektiv tregon se njerëzit zgjedhin të shfaqin vetëm aspektet e jetës që dëshirojnë të perceptohen si pozitive, të suksesshme apo të dëshirueshme nga të tjerët. Në kontekstin e grave që reklamojnë çdo pjesë të rutinës së tyre nga një veshje elegante deri te një produkt bukurie apo pajisje shtëpie kjo sjellje është një formë e menaxhimit të imazhit që kërkon shumë vëmendje dhe përpjekje, duke u shndërruar në një performancë të pandërprerë sociale.
Për shumë gra, rrjetet sociale janë hapësira ku identiteti personal, aspiratat profesionale dhe pritshmëritë shoqërore ndërthuren në një rrjet kompleks kërkesash dhe imazhesh. Performanca e vetes në video e fotografi shpesh shërben si një mjet për të negociuar mes jetës private dhe jetës publike për të krijuar një narrativë që duket koherente dhe admiruese për audiencën, por edhe për veten.
Presioni i dyfishtë mbi gratë, ato duhet të jenë produktive dhe të suksesshme në karrierë, të kujdesen për familjen, dhe në të njëjtën kohë të përputhen me standardet estetike dhe sociale të bukurisë. Pra, regjistrimi i rutinës shpesh nuk është vetëm zgjedhje personale, por edhe një përgjigje ndaj pritshmërive që shoqëria i ka vendosur grave.
Ky fenomen mund të shihet si një formë fuqizimi, ku gratë transformojnë jetën e përditshme në një hapësirë veprimi dhe kreativiteti. Përmes ndarjes së eksperiencës së tyre, promovimit të aftësive dhe krijimit të komuniteteve mbështetëse online, ato gjejnë jo vetëm mundësi për të fituar të ardhura, por edhe për të ndërtuar një identitet të lirë dhe të vetëdijshëm. Kur ky proces bëhet me vetëdije dhe qëllim, rrjetet sociale nuk janë thjesht pasqyrë e dukjes, por një mjet për pavarësi ekonomike, shprehje personale dhe afirmim të vlerës së tyre.
Nuk është thjesht zgjedhje apo detyrim, por një balancim delikat midis autonomisë dhe presioneve të jetës moderne, ku fuqia personale dhe barra e përditshmërisë bashkëjetojnë në çdo “play and pause”./dritare.net