Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

 Arkivi, çfarë fjale!

 Arkivi, çfarë fjale!

Nga Rexhep Qosja

 Arkivi, çfarë fjale!

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!

Nuk e di a do të më sjellë fat apo fatkeqësi, më mirë të them gëzim a dëshpërim, puna e përkthyesit në këtë institucion me emrin arkiv.

Arkiv! Çfarë fjale!

Fjalë e jashtëzakonshme.

Fjalë e jashtëzakonshme qoftë edhe pse në përbërjen e

saj, si bazë e saj, është fjala ar. Ar! Ar-kiv!

Unë nuk mund ta di, mund ta dinë gjuhëtarët, e gjuhëtaret, si fjala vjen ai, Idrizi. Idriz Ajeti, ajo, Shefkija, Shefkije Islamaj, a ai, Isaja, Isa Bajçinca, se si i është shtuar ar-it shtesa kiv (ar+kiv)! Ata, gjuhëtarët, merren edhe me parashtesat, messhtesat e prapashtesat. Me shumëçka, që ka të bëjë me gjuhën, merren ata.

Arkivi! Është fjalë e lashtë, sigurisht e krijuar prej të pasurve, prej shtetit të pasur dhe prej njeriut të pasur, që kishte ar dhe ia dinte vlerën arit! E të pasur në atë kohën e tyre ishin grekët e lashtë; por më të pasur, shumë më të pasur se ata, ishin romakët, romakët e lashtë e jo romakët e sotëm, megjithëse edhe këta të sotmit hyjnë ndër të pasurit.

Ne, të varfër qysh ishim, edhe në kohën e vjetër, besoj se arkivin e kemi marrë prej tyre, prej romakëve të vjetër e jo prej romakëve të sotëm, megjithëse edhe prej këtyre të sotmëve, sot mendoj të njëqind vjetëve të fundit, na janë dhuruar një sërë fjalësh të reja. Me këso dhuratash të çmuara, dhurata foljore, ishim të dhuruar më së shumti në kohën e atij që kishte fytyrë gjeometrike, që i dinte gjashtë gjuhë të huaja, si unë, që shkruante dhe drama, si unë që po e shkruaj dramën time dhe të Havasë, si quhej, si...? Benito. Benito Musolini. Duçe.

Edhe grekëve, edhe romakëve të lashtë, e romakëve ndoshta më shumë se grekëve, u duheshin shumë arkivat. Ishin shtrirë në tri kontinente - në kontinentin e Europës, në kontinentin e Afrikës dhe në kontinentin e Azisë. Ishin shtrirë si sundues. Kishin çka, çka, kishin shumëçka të fusnin, të fusnin e të ruanin në arkiva. Gjithfarë shkrimesh, gjithfarë dëshmish. Shkrime në pllaka guri, shkrime në tulla, shkrime në lëvore drunjsh, shkrime në drunj mesatarisht të trashë, shkrime në çka krejt tjetër, shkrime në lëkura të shtazëve, shkrime në brirë të shtazëve, më së shpeshti të elefantëve. Shkrime me emra, me ngjarje, me vdekje, me lindje, me të dënuar e me të falur, me shenjtorë e me mëkatarë, me ëndrra, me mendime, që dikur, më vonë, do t’i quajnë shkencore, letrare, filozofike e s’di si krejt ndryshe. Shkrime për familjen, për fisin, për shtetin, për tokën, për gjithësinë, për gjeometrinë, për aritmetikën, për fizikën, për kiminë. Shkrime për burrëri! Shkrime për qyqari! Shkrime për të bukurën në veprat letrare, në pikturat, në skulpturat e në arkitekturat, por edhe për të bukurën e atyre bukurosheve të tyre që do t’i bëjnë të paharruara në historinë greke e romake. Në arkivat e lashtë romakë, por edhe grekë, ka shkrime, dëshmi, edhe për të bukurën në tokë. Dijetarët e Aleksandrit të Maqedonisë, që kishte marrë me vete në ato përshtrirjet e tij ushtarake, që njëkohësisht ishin dhe diturore, do t’u sjellin arkivave grekë shumë shkrime, shumë dëshmi, për bukuritë e tokave ku do të mbërrijnë. Edhe më shumë se grekët e lashtë do t’u sjellin shkrime, dëshmi, për tokat e pushtuara europiane, afrikane dhe aziatike, dijetarët romakë.

Naimi ynë, Naim Frashëri, me të vëllanë e tij, Samiun,

nuk e quante gjeografinë gjeografi, donte ta quante shqip, prandaj dhe shqip do të bëjë fjalë shumë të bukur për të: dhe shkronjë.

E kremtova ditën e punësimit në arkivin tonë qendror, shtetëror. Një herë e kremtova me miqtë e shokët në restorantin Zodiaku e, mandej, në mbrëmje, me familjarët. Vendosa ta kremtoj kështu dyfish punësimin pasi mendova për të: për kuptimin e fjalës përkthyes arkivist, çka u bëra sot, ditën që kremtova? Përkthyes isha, i bërë qe disa vite. E tani, e sot, u bëra edhe arkivist!

Arkivist! Ar - kivist!

Në mendjen time arkivi u bë fjalë me dy kuptime. Kuptimi i parë: arkivi është dhoma, hapësira, godina,

ndërtesa ku futen e ruhen gjëra të ndryshme, më së shumti shkrime të ndryshme, dokumente të ndryshme, me prejardhje të ndryshme e për çështje të ndryshme. Në arkiv mund të futen dhe janë futur e futen edhe dorëshkrime të ndryshme me rëndësi të ndryshme, si, fjala vjen, dorëshkrimet e Platonit, të Aristotelit, të Heraklitit, të Demokritit pavarësisht a janë shkruar në pllakë guri, në lëvore a copë druri, në tullë a në lëkurë, dorëshkrime të Dekartit, të Dantes, të Servantesit, të Shekspirit, të Kantit, të Hegelit, të Marksit. Dhe, natyrisht, të Enverit. Enver Hoxhës. Në arkiva janë futur edhe versionet e bukurshkrimeve të ndryshme të Biblës e të Kur’anit. Në arkiva janë futur edhe recetat e ndryshme të ilaçeve që i jepeshin Niçes pasi ishte çmendur, recetat e ilaçeve që i jepeshin Karlit të Madh, por jo edhe recetat e ilaçeve që i jepeshin Napoleonit në Elbë.

Kuptimi i dytë, i figurshëm: arkivi është dhoma, godina, qelia, hapësira e imagjinuar shumë e gjerë a shumë e ngushtë në të cilën vendosen të gjithë ata që sillen, veprojnë e flasin siç s’duan tiranët, despotët, diktatorët që të sillen, që të veprojnë, që të punojnë dhe të gjithë ata të dëgjueshmit e mjerë, të shkretë, të sfilitur, që mund të përdoren apo që janë përdorur dikur, pavarësisht pse nuk përdoren më.

Çoje në arkiv, mbyllja derën arkivit, mbyllja mirë derën arkivit që të mos shihet më!

I duam dhe s’i duam arkivat! Dyshojmë në arkivat! Besojmë në arkivat!

Të nevojshëm, të dobishëm, sa arkivat që i duam, janë edhe arkivat që s’i duam. Rrofshin arkivat! Mos qofshin arkivat!

E dua shumë arkivin tim. Kam futur shumëçka në të. E marr me mend se dikur disa do të jenë të gëzuar, të përnderuar pse janë futur në arkivin tim; por disa të tjerë do të jenë shumë të shumëdyshuar, të hidhëruar, të dëshpëruar, të lemerisur pse janë në të.

Në arkivin tim ka dokumente për një varg shkrimtarësh, por më së shumti për Dhimitrin, Dhimitër Shuteriqin, Dritëroin, Dritëro Agollin, Ismailin, Ismail Kadarenë, Ramizin, Ramiz Kelmendin, Eqremin, Eqrem Çabejn, Androkliun, Androkli Kostallarin, për Idrizin, Idriz Ajetin, për Shefkijen, Shefkije Islamajn, e për disa krijues të tjerë.

Në arkivin tim ka shumë të dhëna e gjykime për shumicën e këtyre që sundojnë sot. Shyqyr Zotit që s’do të kenë mundësi t’i lexojnë!

Mendoni çka të doni për arkivat, por mos harroni se në arkivat, së bashku në arkivat shtetërorë dhe në arkivat privatë, ruhet historia e vërtetë e çdo populli dhe e çdo shteti.

Edhe historia e Tokës ruhet në arkiva.

Toka, një ditë, kur të harxhohet Dielli, do të zhduket e me të edhe historia e njerëzimit, por pamja e Tokës, e qytetërimit dhe e kulturës së saj, do të ruhet në ndonjërin prej trupave qiellorë në të cilin do të mbërrijë njeriu para se të zhduket Toka, që nuk do të jetë i varur prej Diellit siç ishte e varur Toka jonë e ndjerë.

O, sa shumë do të doja të isha specie njerëzore e atij trupi qiellor, emri i të cilit ende s’dihet, që do të përshkruante në vepra letrare, do të filmonte në filma artistikë e do të pikturonte në piktura gëzimet e dhembjet, shpresat e dëshpërimet, ngadhënjimet e Tokës me njerëzimin e saj të përmortshëm.

Qoftë i përjetshëm emri yt, Tokë!/dritare.net

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!