
Nga Rexhep Qosja!
Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!
Vëllezër e motra,
miq e dashamirë,
shokë e shoqe,
zonja e zotërinj,
shkëlqesi dhe shkëlqesesha,
lartmadhëri dhe lartmadhëresha!
Ju përshëndes ju të gjithë që jeni këtu, në këtë sallë të madhe, të gjatë e të gjerë, me tavan të lartë, të gjithë këtu në rreshtin e parë e deri në reshtin e fundit, të fundit si rresht e jo të fundit në ndonjë mënyrë tjetër, në ndonjë mënyrë tjerët që dikush e quan politike, dikush shtetërore, dikush shoqërore, dikush shkollore, dikush mendore, dikush zakonore, dikush kanunore e dikush morale!
Më falni, harrova t’ju them e duhej t’jua thosha në fillim, se kjo nuk është fjalë e imja, kjo fjalë është e shkëlqesisë sonë, e shkruar anglisht për mysafirët, numri i të cilëve këtu është i madh, kurse unë jam vetëm përkthyes i saj, i kësaj fjale.
Unë, që jam i zgjedhur prej jush, në të vërtetë, i zgjedhur prej shkëlqesive e lartmadhërive tona, ju përshëndes të gjithë pa kurrfarë dallimi a dallimesh në të gjithë njëzet e nëntë rreshtat e numëruar, por megjithatë, megjithatë, pra, rendi e do që disa prej juve, populli këtu do të thoshte disa prej jush, do t’i përshëndes në mënyrë të veçantë duke jua përmendur emrat, duke i përmendur emrat e tyre të nderuar, sepse edhe ju i përmendni shumë shpesh çdo ditë, shumë shpesh edhe çdo natë, shumë shpesh në çdo stinë të vitit, pavarësisht çfarë kohe është, e kthjellët a e vranët, me shi a me borë, me erë a e qetë. Dhe këtë përshëndetje të veçantë e përcaktojnë puna që bën kush, përgjegjësia shoqërore, politike e shtetërore që ka kush, mandej mosha që ka kush, përmendorja që i është ngritur kujt, që i është ngritur apo që do t’i ngrihet kujt në qytetin tonë, në shtetin tonë, në arkivin tonë, më falni, në arkivat tanë, se ky këtu nuk është i vetmi arkiv yni megjithëse është kryesori, më i madhi, më i pasuri me lëndë arkivore, shoqërore, kulturore, politike, shtetërore, të përgjithshme e të veçantë, historike, po historike.
Për këtë arsye kam kënaqësi të veçantë, të rrallë, që s’më dhurohet shpesh, të përshëndes të parin e të gjithë të parëve, të kryesorëve tanë politikë e shtetërorë, lartmadhërinë e tij, shkëlqesinë e tij.
Tahir Temanin.
Të përshëndes, të përveçuarin, të parin e ministrive, të njëzet e tri ministrive të tij të rëndësishme, shumë të rëndësishme, shkëlqesinë dhe lartmadhërinë e tij, Bali Bollëkun.
Të përshëndes zëvendësit e tij, të nëntë zëvendësit e tij e tanë të dashur, të parin, të dytin, të tretin, të katërtin, të pestin, të gjashtin, të shtatin, të tetin dhe të nëntin, të cilëve në këtë mënyrë, duke i numëruar, ua lashë edhe emrat e mbiemrat e pashqiptuar me këtë rast.
Të përshëndes ministrat, njëzet e tre ministrat dhe njëqind e njëzet e tre zëvendësit e tyre, të cilëve nuk po ua them emrat i ndërgjegjshëm se ju, që po më shikoni e po më dëgjoni me vëmendje të veçantë, për çka ju falënderoj shumë, shumë, të gjithëve, ua dini mirë emrat dhe mbiemrat. Të përshëndes këshilltarët, tridhjetë e shtatë këshilltarët e të parit, shtatë këshilltarët e secilit zëvendës të tij, të cilëve po ashtu nuk po ua them emrat, sepse jam po ashtu i ndërgjegjshëm se të gjithëve, meqenëse i shihni e i dëgjoni çdo ditë, shpesh ditë e natë, ua dini mirë edhe emrat edhe mbiemrat.
Të përshëndes edhe kujdestarët, rojat e truprojat, e të parit, e zëvendësve të tij, e ministrave, të zëvendësve dhe të këshilltarëve të tyre, disa prej të cilëve po i shohim qoftë në hapësirën anash karrigeve, qoftë në hapësirën, në galeritë lart, përmbi karriget.
Të përshëndes bashkëshortet e të parit të parë, të përveçuar, të parit të dytë, të zëvendësve të të parit të parë, të përveçuar, e të të parit të dytë, të ministrave, të zëvendësve e të këshilltarëve të tyre, të cilët ju ftoj t’i përshëndesim me duartrokitje të gjata! Sa më të gjata e sa më jehuese! Sa më trishtuese, më falni desha të them trumbetuese!
Të përshëndes shkëlqesinë e tij të Arsimit, të Shkencës e të Teknologjisë me të gjithë shtatëmbëdhjetë zëvendësit dhe këshilltarët e tij, Asllan Lumjanin.
Të përshëndes të parin e Akademisë së Shkencave e të Arteve tona, shembullor në krejt Europën, i cili me të arriturat e tij shkencore, kimike e fizike e gjeografike, e ka bërë shumë të nderuar kombin tonë duke e kyçur emrin e tij Shqiptar në Bibliotekat më të mëdha e më të lavdishme botërore, shkëlqesinë e tij Hajrush Brushin.
Të përshëndes të parin e fesë së parë në këto troje, imzot Shtjefën Shtjefnin!
Të përshëndes të parin e fesë së dytë në këto troje, të bekuarin Jorgo Sumani!
Të përshëndes të parin e fesë se tretë në këto troje, allahu ekber, Medin Meranin!
Të përshëndes të parët e shoqatave të krijuesve tanë, të shkrimtarëve, të piktorëve, të skulptorëve, të kompozitorëve, të këngëtarëve, të valltarëve, të regjisorëve, të aktorëve të filmave e të teatrove, që janë aq të çmuar e aq të dashur prej shkëlqesive e lartmadhërive tona, të para, të dyta e të treta, e prej gjithë qytetarëve të shtetit tonë krijues, artistik e shkencor.
Të përshëndes mysafiren, besoj për të gjithë ju, më të dëshiruar e më të dashur këtu sonte, bilbilin, zërin magjik të këngës sonë popullore, natyrisht gegënishte, të re e të vjetër, që me atë zërin e saj magjik rrit të vegjël, shëron të sëmurë, trash të hajthëm, ngjall të vdekur, bën largpamës të verbër, e zbukuron edhe këtë sallë, edhe krejt këtë pallat, zonjushën e shkëlqimtë, Arbërie Atjanin.
Me këtë rast, me kënaqësi të veçantë përshëndes edhe vajzat e djemtë që me zërat e tyre, në kor, do ta bëjnë edhe më të jehueshëm zërin magjik të shkëlqesimtares, Arbërie Atjani.
Me këtë përshëndetje, pak të zgjatur, por ndoshta jo shumë bezdisëse, unë dhe gjithë të tjerët që këtu jemi bashkë në këtë kryesi para juve, shprehëm gëzimin tonë të papërmbajtur pse në praninë tuaj kaq të bollshme, kaq të gëzueshme, kaq të vëmendshme, kaq të shkëlqimtë na keni dhënë rastin tua sjellim shfaqjen e artistëve tanë me shkëlqim botëror, titulli i së cilës është Shenjtorët e mallkuar.
Menjëherë duhet t’ju them se ky titull është i përbërë prej dy fjalëve, domethënë prej dy gjysmave, që bashkë përbëjnë një tërësi kuptimore dhe simbolike: pra gjysma e parë, domethënë fjala e parë shenjtorët është marrë prej letërsisë franceze, kurse gjysma e dytë, domethënë fjala e dytë, e mallkuar, është e jona, është marrë prej letërsisë shqipe, të sotme, dhe është krijuar prej një shkrimtari emrin e të cilit nuk po jua them për arsye se ai, megjithëse nuk e kam takuar që ta pyes, nuk e di nëse do të pajtohej a jo që ta them këtu emrin e tij. Kemi vepruar kështu, e kemi bërë titullin e shfaqjes prej dy gjysmave, dy fjalëve njëra prej të cilave është europiane, kurse tjetra është shqiptare, gjysmë europiane, për arsye se jemi të bindur se gjysma, në të vërtet gjysmat e shprehin shumë më saktësisht, në histori dhe në përtashësi, prirjen e jetës e të zhvillimit tonë, prirjen tonë historike, prirjen tonë të përtashme, për t’i bërë punët e vogla e të mëdha deri në gjysmë, për t’i lënë punët, qëllimet, ndërtimet, vendimet, mendimet në gjysmë. E kemi bërë Shqipërinë prej gjysmës së popullit dhe gjysmës së gjeografisë, e kemi bërë Kosovën prej gjysmës së hapësirave ku jetonin shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe po bëjmë përpjekje të përgjysmojmë edhe më tej çdo gjë, i kemi bërë fetë prej gjysmave - katolike, ortodokse, myslimane, e kemi bërë letërsinë prej gjysmave - shqiptare, kosovare, arbëreshe, e kemi bërë historinë prej gjysmave... e kështu me radhë e pa radhë.
Gjysma është figura jonë! Gjysma është metafora jonë! Gjysma është simboli ynë! Gjysma është fati ynë! Vëllezër e motra,
Miq e dashamirë,
Shokë e shoqe,
Zonja e zotërinj, Shkëlqesi e shkëlqesesha.
Lartmadhëri e lartmadhëresha!
Shfaqja që do të shihni do t’ju bëjë të qeshni, të gëzoheni, të gajaseni, të duartrokisni shumë, gjatë, si të ishit në ndonjë mbledhje, në ndonjë konferencë, në ndonjë kongres me rëndësi të jashtëzakonshme, në të cilin a të cilën do të shqyrtohen çështje shumë të mëdha, me rëndësi historike dhe në të cilin a të cilën do të merren vendime prej të cilave do të varet jeta juaj e sotme dhe e ardhme, në të cilin a të cilën do të miratohen ligje që do të rregullojnë jetën tuaj të sotme e të ardhme demokratike.
Disa prej jush tashmë filluan të shprehin gëzimin e tyre me zë e me duar, kurse disa të tjerë edhe me këmbë, për çka unë i falënderoj shumë, pamatshëm shumë të gjithë!
Duhet t’ju them, ndoshta jo vetëm i gëzuar, por sadopak edhe i shqetësuar, ndoshta me dufe zemërake, se kjo shfaqje që do ta shikoni sonte, ta shikoni e ta dëgjoni, pavarësisht se do të përfundojë me tri këngë të lartmadhëreshës Arbërie, më falni, të shkëlqeseshës zonjushë Arbërie dhe korit të saj të ri e të bukur, mund t’ju shkaktojë edhe njëfarë mospajtimi.
- Mospajtim, mospajtim, nuk i duam mospajtimet! U dëgjua zëri i njërit nga rreshti i dytë.
- Po, po, mospajtim! Gazi, sado i arsyetuar, që do t’ju shkaktojë shfaqja nuk do të jetë i mjaftë për t’jua mbushur mendjen dhe lukthin me shkëlqim shpresëdhënës sepse, siç e dini, të gjithë njerëzit nuk gëzohen njësoj, nuk u gëzohen të njëjtave gjëra, të njëjtave arsye, të njëjtave të mira, të njëjtave bira, të bukura e të dobishme.
Qeshjet e njerëzve mund të përmbajnë edhe thumba, u shpreha gabimisht, e duhej të thosha edhe arsyet, përmbajtjet, të dhënat, lëndët që shkaktojnë gaz, qeshje, mund të përmbajnë edhe thumba më të mprehtë a më të topitur, që disa njerëzve u pëlqejnë më shumë sesa arsyet, përmbajtjet, të dhënat, lëndët që shkaktojnë gaz.
Për këto arsye gjatë kësaj shfaqjeje, ne presim edhe mospajtime të shprehura ose vetëm me fjalë, ose me mërrolje pa fjalë, ose me britma të vogla, ose me hallakama, ose me mospajtime të shprehura me duar, me këmbë, ose, në fund të fundit, me mospajtime të shprehura me dalje prej sallës, apo, ndoshta, kushedi, me dalldi a me të ashtuquajturat protesta jashtë sallës.
E kuptueshme! E kuptueshme! Dëgjohet një zë nga rreshti i trembëdhjetë i sallës.
Si e kuptueshme? Si? S’është i kuptueshëm mospajtimi me të parët tanë! Dëgjohet një zë tjetër s’e di në cilin rresht. Mospajtimet, më falni pse po jua pres fjalën, për artistët janë të kuptueshme, por jo edhe të dëshirueshme, mendoj për mospajtimet me shfaqjen tonë. Ata që punojnë e krijojnë, që lodhen, që s’flenë sa duhet, që s’arrijnë të hanë bukë e të pinë uiski kur duhet e sa duhet, mospajtimi, megjithatë, është më i dëshiruar sesa heshtja. Anasjelltas e thënë: heshtja është më e padëshiruar se çdo mospajtim. Jo rrallë mospajtimi me punën tënde, me artin tënd, të bën më të njohur e më të dashur prej qytetarëve, më të dashur prej qytetarëve sesa çdo pajtim, çdo duartrokitje, çdo falënderim,
çdo dekorim, çdo medaljezim! Çdo karnevalizim! Apo jo! Tani, pas duartrokitjeve që pamë e dëgjuam për këtë fjalë, të duartrokitjeve të disa të parëve këtu, të të parit të parë, të të parit të dytë e të të parit të tretë, të shkëlqesive e lartmadhërive të tyre, me ardhjen e tyre këtu na gëzuan edhe një ndërkombëtare dhe dy ndërkombëtarë, të cilët na kanë pasuruar qe sa vjet me xhepat e me përvojën e tyre që i kanë sjellë kryeqytetit tonë, shtetit tonë, politikës sonë.
I përshëndes edhe zonjën, edhe zotërinjtë me përzemërsi shumë të përkushtuar, që nuk jam i sigurt se ishte plotësisht e liruar prej dyfytyrësisë që herët më të shpeshta zbulon sjelljet tona puthadorëse të viteve të fundit edhe puthakëmbëse! Megjithatë prania e tyre në këtë sallë, në të cilën sonte shfaqen Shenjtorët e mallkuar, e shton obligimin tonë që t’i pranojmë zemërgjerë e mendjelartë edhe ato ide, mendime, shaka, qeshje, ironi, sfingëzime e kiçizime që prodhojnë shenjtorët e mallkuar!
Ne jetojmë në demokraci.
Demokratët nuk duhet të tregohen demokratë vetëm në një vend, vetëm në dhomën e fjetjes, në shtratin me gruan, por edhe në jetën e përditshme.
Demokratët duhet të tregon demokratë jo vetëm ndaj atyre që duan, por dhe ndaj atyre që mund të kenë arsye të mos i duan.
Harrova të them kur u desh të thuhet se shfaqja Shenjtorët e mallkuar jepet sonte për herë të parë, domethënë sonte është premiera e saj.
Aktorët e Teatrit tonë Modern shfaqjen e tyre Shenjtorët e mallkuar për herë të parë po e shfaqin në këtë sallë të Arkivit, në këtë sallë të madhe e të bukur, e cila është bërë jo për shfaqje teatrore, letrare, muzikore, por për tubime, për sesione, për simpoziume, për konferenca, për kongrese shkencore e mund të jetë edhe për mbledhje, konferenca e kongrese politike e shtetërore.
Shfaqja e Shenjtorëve të mallkuar këtu e zgjeron, e shton, e pasuron rolin kulturor të Arkivit tonë shtetëror, e kur them kulturor domethënë kombëtar.
Duke e pasur parasysh të kaluarën tonë, të kaluarën e Teatrit Modern e të kaluarën e Arkivit tonë, dikush prej jush, dikush prej shkrimtarëve që s’janë këtu, dikush prej studiuesve që po ashtu s’janë këtu, apo dikush prej gazetarëve që po ashtu, po ashtu, s’janë këtu dhe prej atyre që, tre po i shoh, janë këtu, mund të thotë apo madje edhe mund të shkruajë se me këtë shfaqje, që ka titull metaforik, dikush do të thotë simbolik e dikush mitologjik, vërtet është shtuar, zgjeruar, pasuruar, simbolizuar, mitologjizuar roli i këtij Arkivi, si institucion jo vetëm shtetëror, por edhe, edhe politik, i dyshueshëm politik e kur them i dyshueshëm politik mendoj i dyshueshëm për një numër njerëzish sot shumë të përkrahur, të çuar përpara prej të parëve tanë.
Dyshimi është virtyt i njeriut. Dakord.
Dyshimi është ves i njeriut. Dakord.
Dyshimi është përbërës, më falni frymëzues, i disa veprimeve, masave, ndërmarrjeve që na çojnë ku s’dëshirojmë të shkojmë.
Dakord.
Mosdakord.
Zgjidhni çka të doni, vëllezër e motra, miq e dashamirë,
shokë e shoqe, zonja e zotërinj, shkëlqesi e shkëlqesesha, lartmadhëri e lartmadhëresha! Dakordësi a mosdakordësi!
Ndoshta e zgjata pak si më shumë, këtë fjalë timen përshëndetëse. Aktorët, regjisorët, shkencëtarët e sidomos shkrimtarët i kanë fjalët e gjata. Pse jo? Ata jetojnë me fjalë, me tregime, me tregime të gjata, që i zgjasin edhe më shumë, me romane, me drama, me tragjedi e me komedi. Ata jetojnë me to dhe prej tyre! Me fjalë e prej fjalëve, siç e dini, jetojnë edhe ata që bëjnë punë politike, partiake e shtetërore. Por, ndryshe prej aktorëve, regjisorëve, studiuesve, shkrimtarëve këta, këta që merren me politikë fjalëve të tyre ua shtojnë edhe masat policore, ushtarake, shtetërore, masat që mund të zgjasin a shkurtojnë jetën dhe mund të ndalin a sjellin vdekjen.
Ju ftoj t’u dhurojmë duartrokitje atyre që jetojnë me fjalë dhe prej fjalëve! Duartrokitje pa fjalë, por kush e quan të nevojshme e të arsyeshme le ta përcjellë duartrokitjen e tij edhe me fjalë, me çfarëdo fjalësh që do ai vetë!
Krejt çka s’duroj e ka emrin e vet...
Nuk i duroj pleqtë kur revoltohen dhe presin t’u lirohet vendi në autobus.
Nuk i duroj as të rinjtë. Mendjemadhësinë e tyre. Lavdërimet e tyre me fuqinë që kanë dhe moshën e re në të cilën janë.
Nuk i duroj sherrxhinjtë. Çaraveshjet e tyre të papritura. Pa ndërgjegje dhe të kota...
Nuk i duroj ata që dinë çdo gjë, që janë tolerues dhe plot skrupuj. Që kanë gjithnjë të drejtë. Që janë gjithnjë të përsosur. Që janë gjithnjë të pagabueshëm!
I kritikon e ata të falënderojnë për atë kritikë. I përbuz e ata përzemërsisht të falënderojnë. Me të gjitha të turpërojnë...
Por nuk i duroj as ata që kurrë nuk të shqetësojnë... Gjithnjë të dëgjueshëm dhe plot premtime. Puthadorës besnikë...
Nuk i duroj statujat në sheshe, banjat për zbukurim, filozofët me pamje tërheqëse, banjat me shumë klor..., gratë anoreksive, priftërinjtë dhe ministrat, revolucionarët e rrejshëm, dushin me perde, gjësendet stolisëse... vegjetarianët, muzikën në restorante, festat, mbledhjet, anglicizmat, neologjizmat, udhëheqësit politikë, militantët, prostitutat, personat tepër të shkurtër dhe tepër të gjatë..., telefonat mobilë, burokracinë, kremrat për rrezitje, racistët, pleqtë e rinj dhe të rinjtë pleq, snobët, kirurgjinë estetike, fetë e improvizuara dhe ithtarët e tyre... të gjithë ata që mbajnë syze për diell, heroinomanët, kokainomanët, seks turizmin, gjenitë, heronjtë, frikacakët, të dëshpëruarit, fitimtarët e çuditur, koprracët, të dëshpëruarit që ankohen ditë e natë.
Nuk e duroj nostalgjinë, keqdashjen, përzemërsinë, pikëllimin, mendjemadhësinë, pajtimin me fatin, vrazhdësinë, fetarizmin, lavdërimin, mendjelehtësinë, vendosmërinë, vetëmëshirimin, papërgjegjshmërinë, nxitimin, mesatarizmin, amaterizmin, varësinë, elegancën dhe lumturinë...
Vetëm një gjë e duroj. Ngjyresën (Nuancën).
*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net

















