Kaos në stadiumin e Flamurtarit, tifozët futen në fushë dhe dhunojnë futbollistët
Dritare.net

Takimi i vlefshëm për javën e 17-të të Abissnet Superiore u ndërpre në minutën e 68-të, pas një incidenti të rëndë në tribunë.
Disa tifozë vendas thyen rrethimin e sigurisë dhe hynë në fushën e lojës, duke u përfshirë në një përleshje të pakuptimtë me lojtarët e skuadrës kundërshtare, Teutës. Situata krijoi kaos për disa minuta, duke detyruar ndërprerjen e menjëhershme të ndeshjes.
Futbollistët e Flamurtarit, së bashku me forcat e policisë, ndërhynë me shpejtësi për të qetësuar gjendjen dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës. Pas largimit të tifozëve nga stadiumi dhe marrjes së masave të sigurisë, ndeshja u vendos të rifillojë.
Takimi po luhet me stadium të boshatisur, duke rinisur nga minuta e 68-të, momenti kur u ndërpre. Deri në atë çast, rezultati ishte 0-1 në favor të Teutës.
Pritet që Komisioni i Disiplinës të marrë masa për incidentin e ndodhur, i cili hedh hije mbi zhvillimin normal të kampionatit./K.C/dritare.net