Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pagë minimale më e lartë dhe investime në rindërtim. Çfarë vendimesh miratoi sot qeveria!

Pagë minimale më e lartë dhe investime në rindërtim.

Qeveria ka miratuar sot një sërë vendimesh me rëndësi në fusha të ndryshme, që lidhen me pagat, rindërtimin, zhvillimin ekonomik dhe emërime në administratë.

Këshilli i Ministrave vendosi që paga bazë minimale mujore për punonjësit në të gjithë vendin të jetë 50 000 lekë, për 174 orë pune në muaj, gjatë kohës normale të punës.

Në kuadër të procesit të rindërtimit, u miratua përdorimi i fondit të rindërtimit në vlerën 169 850 000 lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit në Bashkinë Durrës.

Po ashtu, u vendos përdorimi i fondit të rindërtimit në masën 5 314 932,40 lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale në Bashkinë Shijak, për ata individë banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë (shkalla e dëmit DS4), por që nuk kërkojnë rindërtim nga e para, por punime rikonstruksioni, bazuar në akt-ekspertizat e thelluara. Ky efekt financiar përballohet nga fondi i rindërtimit i miratuar për vitin 2025 dhe i transferohet Bashkisë Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu shpalljen e disa zonave si “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Klos dhe Bashkisë Vau i Dejës. Aktivitetet që do të zhvillohen në këto zona përfshijnë:

zhvillimin ekonomik,
zhvillimin industrial,
zhvillimin turistik.

Në fund, u miratua edhe një emërim në detyrë, ku z. Andrea Shllaku u emërua zëvendësministër i Mbrojtjes.