Na ndiqni edhe në

Bota

Zelensky ultimatum BE-së: Na jepni një zgjidhje tani, ose...

Zelensky ultimatum BE-së: Na jepni një zgjidhje tani, ose...

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje liderëve të Bashkimit Evropian që të arrijnë urgjentisht një marrëveshje për përdorimin e miliarda eurove nga asetet e ngrira ruse, për të financuar nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës. Paralajmërimi u bë gjatë samitit në Bruksel, në një moment kritik për ecurinë e luftës.

Zelensky theksoi se Ukraina rrezikon të mbetet pa fonde brenda pak muajsh dhe se, pa një injeksion financiar deri në pranverë, vendi do të detyrohet të ulë prodhimin e dronëve. Ai kërkoi që një marrëveshje të arrihet brenda fundit të vitit, duke nënvizuar se paratë janë jetike si për vazhdimin e luftës, ashtu edhe për rimëkëmbjen e vendit në rast të një marrëveshjeje paqeje.

Shumica e rreth 210 miliardë eurove të aseteve ruse të ngrira në BE mbahen nga institucioni financiar Euroclear me seli në Belgjikë. Deri tani, Belgjika dhe disa shtete të tjera anëtare kanë shprehur rezerva ndaj përdorimit të këtyre fondeve si një formë “huaje dëmshpërblimi”. Nga ana e saj, Rusia ka paralajmëruar BE-në të mos prekë paratë e saj dhe ka ngritur padi kundër Euroclear në një gjykatë në Moskë për t’i rimarrë asetet.

Megjithatë, kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se Evropa duhet “të jetë në lartësinë e momentit”, ndërsa presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u shpreh e vendosur: “Nuk do të largohemi nga ky samit pa një zgjidhje”.

Vëmendja është përqendruar edhe te kryeministri belg Bart De Wever, i cili tha në parlament se, nëse gjithçka miratohet nga partnerët evropianë, Belgjika do të marrë pjesë në vendim “duke u hedhur së bashku në humnerë dhe duke shpresuar që parashuta të funksionojë”.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës është më afër se kurrë. Zyrtarë amerikanë dhe rusë pritet të takohen këtë fundjavë në Miami për bisedime të mëtejshme mbi një plan paqeje. Sipas burimeve, i dërguari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, do të takohet me përfaqësues të Trump, përfshirë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Edhe zyrtarë ukrainas po udhëtojnë drejt SHBA-së.

Zelensky, i cili ndodhet në Bruksel, tha se Ukraina ka nevojë për fondet si për mbështetjen e ushtrisë nëse lufta vazhdon, ashtu edhe për rindërtim. “Është morale, është e drejtë dhe është ligjore, e konfirmuar nga shumë ekspertë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Kremlini ka theksuar se nuk do të pranonte plane për një forcë shumëkombëshe evropiane në Ukrainë me mbështetje amerikane. Presidenti rus Vladimir Putin përdori gjuhë të ashpër ndaj Evropës, duke thënë se kontinenti ndodhet në një gjendje “degradimi total” dhe duke ofenduar aleatët evropianë të Ukrainës.

Komisioni Evropian ka propozuar që Ukrainës t’i jepet një hua prej rreth 90 miliardë eurosh për dy vitet e ardhshme, nga asetet ruse të ngrira. Kjo shumë përbën rreth dy të tretat e 137 miliardë eurove që Kievit i nevojiten për të kaluar vitet 2026 dhe 2027. Deri tani, BE-ja i ka dhënë Ukrainës vetëm interesin e gjeneruar nga këto fonde, jo kapitalin bazë.

“Ky është një moment vendimtar që Ukraina të mund të vazhdojë luftën vitin e ardhshëm”, tha një zyrtar finlandez për BBC, duke shtuar se fondet do t’i japin Kievit më shumë fuqi negociuese në bisedimet për paqe.

Një alternativë tjetër e diskutuar është që BE-ja të marrë hua në tregjet ndërkombëtare, duke përdorur buxhetin e unionit si garanci, por kjo kërkon unanimitet. Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka bërë të qartë se nuk do të lejojë fonde të tjera evropiane për Ukrainën.

Për Ukrainën, orët në vijim janë vendimtare, ndërsa liderët e BE-së theksojnë urgjencën e vendimit. “E dimë sa kritike është situata. Është akute. Të gjithë e ndiejmë dhe e shohim”, deklaroi Ursula von der Leyen në Parlamentin Evropian./K.C/dritare.net