Pas muajsh heshtjeje, flet drejtoresha e HR që u bë virale nga “kiss cam”-i në koncertin e Coldplay
Dritare.net

Kristin Cabot, drejtoresha e HR që u bë virale pas paraqitjes së saj në kiss cam-in e një koncerti të Coldplay, ka folur për herë të parë publikisht, duke e cilësuar incidentin si një “gabim të çastit” pas konsumimit të alkoolit. Ngjarja ndodhi gjatë koncertit të grupit britanik në Boston më 16 korrik, ku Cabot u filmua në një moment përqafimi me ish-CEO-n e saj të martuar, Andy Byron.
Pamjet u shfaqën në ekranin gjigant të stadiumit, duke shkaktuar reagime të sikletshme nga të dy, ndërsa përpjekja e tyre për t’u larguar nga kamera vetëm sa e përkeqësoi situatën. Këngëtari i Coldplay, Chris Martin, komentoi me humor para publikut: "Ose janë në një lidhje, ose janë shumë të turpshëm." Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke e kthyer momentin në viral dhe jetën private të Cabot në objekt diskutimi publik.
Pas muajsh heshtjeje, 53-vjeçarja vendosi të flasë për New York Times, ku pranoi se kishte marrë një vendim të keq. "Piva disa pije, kërceva dhe u solla në mënyrë të papërshtatshme me shefin tim. Nuk ishte diçka e parëndësishme. E mora përgjegjësinë dhe sakrifikova karrierën time për këtë. Ishte çmimi që zgjodha të paguaj." deklaroi ajo.
Cabot tregoi se ndiente tërheqje për Byron, por theksoi se nuk kishin pasur asnjë kontakt intim përpara asaj nate. Sipas saj, ata pinë kokteje me tekila dhe shkëmbyen një puthje për herë të parë dhe të fundit, një veprim që ajo e konsideron të pamatur dhe për të cilin është penduar.
Pas incidentit, Cabot u përball me një valë sulmesh në internet, përfshirë edhe nga figura publike, ndërsa deklaron se ka marrë mbi 60 kërcënime me jete. Ajo shprehet se kritika publike nuk justifikon kërcënimet me vdekje dhe thekson se dëshiron që fëmijët e saj të mësojnë se njerëzit mund të bëjnë gabime, por nuk duhet të jetojnë nën frikë për shkak të tyre.
Në koncert ishte i pranishëm edhe bashkëshorti i saj, nga i cili ishte në ndarje, i shoqëruar nga një grua tjetër. Çifti kishte qenë i martuar për dy vjet, por në kohën kur shpërtheu skandali, ata ishin ndarë./K.C/dritare.net