Çmimet Oscar do të transmetohen në YouTube. Fundi i televizionit
Dritare.net

Transmetimi vjetor i Çmimeve të Akademisë OSCAR do të largohet nga rrjeti televiziv ABC dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube në mbarë botën duke filluar nga viti 2029, njoftuan organizatorët të mërkurën.
ABC, në pronësi të Walt Disney, i ka transmetuar çmimet Oscar çdo vit që nga viti 1976. Megjithatë, shikueshmëria e ceremonisë, ashtu si edhe e të gjitha eventeve të mëdha të çmimeve në Hollywood, ka rënë vitet e fundit, ndërsa publiku është zhvendosur gjithnjë e më shumë drejt platformave të transmetimit online.
Ceremonia e Oscarëve të vitit 2025, e mbajtur në mars, u ndoq nga 19.7 milionë shikues në Shtetet e Bashkuara, shifra më e lartë e pesë viteve të fundit, por shumë më e ulët krahasuar me rekordin prej 57 milionë shikuesish në vitin 1998. Ceremonia e këtij viti u transmetua gjithashtu drejtpërdrejt në Hulu.
Detajet financiare të marrëveshjes me YouTube nuk janë bërë publike.
Sipas një burimi të njohur me çështjen, ABC kishte paraqitur një ofertë për të ruajtur të drejtat e transmetimit të Oscarëve, por nuk ishte e gatshme të paguante një shumë më të lartë. Vitet e fundit, rrjeti e kishte pasur gjithnjë e më të vështirë të nxirrte fitim nga transmetimi i ceremonisë, tha i njëjti burim.
Sipas një deklarate të përbashkët nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit dhe YouTube, platforma do të ofrojë titra të mbyllur dhe kanale audio në disa gjuhë, për ta bërë ceremoninë të aksesueshme për një audiencë globale. Marrëveshja do të nisë me ceremoninë e Oscar 2029 dhe do të zgjasë deri në vitin 2033.
“Çmimet Oscar janë një nga institucionet tona më thelbësore kulturore, që nderojnë përsosmërinë në tregim dhe krijim artistik,” – tha CEO i YouTube, Neal Mohan, në një deklaratë.
Akademia e filmit tha se do të përfitojë nga shtrirja globale e YouTube.
“Do të jemi në gjendje të festojmë kinemanë, të frymëzojmë breza të rinj kineastësh dhe të ofrojmë akses në historinë tonë filmike në një shkallë globale të paparë më parë,” – thanë në një deklaratë të përbashkët Drejtori Ekzekutiv i Akademisë, Bill Kramer, dhe Presidentja e Akademisë, Lynette Howell Taylor.
Përveç ceremonisë së Oscarëve, YouTube do të transmetojë edhe ngjarje të tjera të Akademisë, përfshirë Governors Awards dhe drekën e të nominuarve për Oscar, dy evente që tradicionalisht janë zhvilluar jashtë kamerave.
Ndërkohë, ABC do të vazhdojë të transmetojë Çmimet e Akademisë në Shtetet e Bashkuara në vitet 2026, 2027 dhe 2028 viti që shënon 100-vjetorin e Oscar./K.C/dritare.net