Sheila përlotet në Festivalin e Këngës: Vëllai im është engjëlli im mbrojtës
Dritare.net

Këngëtarja Sheila, pjesëmarrëse në Festivalin e Këngës 64 me këngën “Zemra e Tokës”, ka rrëfyer emocionet e forta që përjetoi pas performancës së saj në skenë. Në prapaskenë, artistja u shpreh se ende ndiente drithërima nga përjetimi, duke theksuar mbështetjen e madhe që ka marrë gjatë gjithë rrugëtimit.
“Jam ende duke u dridhur nga emocionet. Kisha shumë mbështetje dhe përkrahje dhe shpresoj që kjo të jetë përcjellë te publiku,” u shpreh ajo.
Sheila foli edhe për simbolikën e performancës, duke shpjeguar se shqiponja në skenë përfaqësonte shenjën e tokës dhe njëkohësisht simbolin e flamurit shqiptar.
Momenti më prekës erdhi kur artistja përmendi vëllanë e saj, të cilin e quajti “engjëlli im mbrojtës”. “Ai më shoqëron në çdo hap të rrugëtimit tim,” tha ajo e përlotur.
Duke e cilësuar performancën si shumë impenjative, Sheila theksoi se në skenë u ndje shumë mirë, veçanërisht nga reagimi dhe duartrokitjet e publikut./K.C/dritare.net