Një letër “nga brenda shtëpisë” (dhe çfarë do bëjë SPAK nëse Kuvendi bëhet Gjykatë)
Dritare.net

Nga Adrian Thano
Fatos Tarifa ka publikuar një letër. Është një letër e ndershme, e guximshme dhe e nevojshme.
Pika më e fortë e saj është goditja e alibisë “republika e prokurorëve”. Në Shqipëri, realisht, rreziku nuk është prokuroria e fortë, por politika e paprekshme.
- Publicitet -
Megjithëse e fortë në mesazh, letra ka kufijtë e saj.
Autori i flet shumicës nga “brenda shtëpisë”. Flet si socialist. Kjo e bën letrën më të rëndë politikisht. Nuk është sulm opozitar, por një thirrje për ndërgjegjen e deputetëve të mazhorancës.
Këtu qëndron dhe kufizimi i saj. Supozon se deputetët kanë liri vote. Nuk e kanë. Ata nuk lëvizen nga letrat morale. I gjithë sistemi aktualisht nuk vepron siç duhet, por siç i leverdis.
Letra e nënvlerëson këtë fakt.
Megjithatë letra nuk pretendon të jetë (dhe nuk ka si të jetë) një instrument ndikimi. Edhe pse nuk ndryshon votën ajo mbetet një akt dëshmues, një dokument publik. Nesër do të përdoret për të gjykuar jo Ballukun, por sjelljen e Kuvendit.
Kjo e fundit ka shumë rëndësi.
Thelbi është ky: SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit. Do të thotë se ka një dyshim penal (lexoni relacionin). Kuvendi nuk gjykon fajësinë. Nuk është Gjykatë. Kuvendi gjykon vetëm nëse do lejojë Drejtësinë të bëjë punën e vet.
Çdo gjë tjetër është tym.
A duhet të hiqet imuniteti? Absolutisht PO. Pa debat politik. Pa teatër. Pse? Sepse askush nuk mund të jetë mbi hetimin, sidomos një zv/kryeministre.
Nëse Balluku është e pafajshme hetimi është shansi i saj më i mirë për ta provuar. Nëse Kuvendi e bllokon, pranon publikisht se pushteti mbron pushtetin, jo ligjin.
Po ashtu, Kryeministri. Siç thotë dhe letra e Tarifës është naive të besosh se Balluku është e pazëvendësueshme. Kryeministri ka treguar që shkarkon e ngarkon këdo me një lëvizje gishti. Papritur doli një individ i pakapërcyeshëm.
Nëse sot do dëgjojmë deputetë që flasin për Kanada të tjera që mbetën pa avionë, për stabilitet qeverisës, etj, mesazhi është i qartë. Drejtësia qenka e pavarur vetëm kur heton të tjerët.
Kryeministri rrezikon jo vetëm legjitimitetin e gjithë narrativës “ne mbështesim drejtësinë”.
Opozita nuk rrezikon asgjë. Ajo ka zgjedhur kaosin, jo argumentin. Do bërtasë, do ndezë zjarre, por nuk vendos gjë. Vendimi është i mazhorancës.
Sa për SPAK-un, ai do ndodhet në një situatë të kufizuar, por nuk është pa opsione. Nuk ka fuqi për të shkelur imunitetin, por ka mjete të tjera për të ruajtur hetimin. Vota “jo” nuk e ndalon plotësisht Drejtësinë përtej një periudhe kohe.
Thjesht do bëjë më të qartë në publik kush ka frikë prej saj.