Kancelari Merz: Shembja e Iranit do të sillte krizë të re emigracioni në Evropë
Dritare.net

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi të premten se lufta në Lindjen e Mesme nuk duhet të çojë në shembjen e shtetit iranian, duke paralajmëruar se një skenar i tillë mund të sjellë pasoja serioze për Evropën, përfshirë sigurinë, furnizimin me energji dhe migrantët. Në një fjalim dhe deklaratë në një panair tregtar në Mynih, Merz tha se një konflikt i gjatë dhe kolapsi i shtetit iranian nuk është në interesin e Evropës dhe se kjo do të rrezikonte krijimin e valëve të reja të refugjatëve drejt kontinentit.
Ai nënvizoi gjithashtu se Gjermania dhe aleatët evropianë duan që sovraniteti i Iranit të ruhet, duke shmangur një skenar të ngjashëm me atë të Sirisë. Merz deklaroi se Irani duhet të funksionojë si shtet, me rend publik dhe shërbime bazë dhe se ekonomia e tij nuk duhet të kolapsojë, për të parandaluar migrime të pakontrolluara.
Ai po ashtu tha se populli iranian ka të drejtë të vendosë vetë për fatin e tij, dhe theksoi se Gjermania bashkëpunon me SHBA-në dhe Izraelin për të ndalur programin bërthamor dhe kërcënimet ushtarake, por pa lejuar kaosin të përhapet në rajon./K.C/dritare.net