Na ndiqni edhe në

Shqip

Lufta po del jashtë kontrollit! Olsi Jazexhi: Emiratet në rrezik ekzistence

Lufta po del jashtë kontrollit! Olsi Jazexhi: Emiratet në rrezik


Lufta mes Iranit dhe aleancës perëndimore po del gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit. I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, studiuesi Olsi Jazexhi paralajmëroi se përshkallëzimi i konfliktit po rrezikon edhe vetë ekzistencën e vendeve të Gjirit.

Sipas Jazexhit, lufta ka zgjatur më shumë sesa parashikimet fillestare dhe Irani jo vetëm që nuk po dorëzohet, por po përgatitet për një konflikt të gjatë dhe të ashpër.

“Kundër gjithë parashikimeve lufta po zgjat më shumë sesa një javë ose dy javë që kishte premtuar presidenti Donald Trump. Irani jo vetëm që nuk e ka në mendje të dorëzohet, por përkundrazi premton një luftë bjerrëse, një kombinim i luftërave asimetrike me luftën guerrile”, u shpreh Jazexhi.


Ai theksoi se situata është alarmante për vendet arabe të Gjirit, të cilat sipas tij po përballen me rrezik serioz.

“Në këto momente këto vendet e Gjirit janë në një agoni dhe ankth të madh. Irani ka mbyllur ngushticën e Hormuzit, po godet kryeqytetet e këtyre Emirateve Arabe dhe u ka bllokuar shitjen e naftës. Këto Emirate janë në dilemë për ekzistencën e tyre,” deklaroi ai.
Jazexhi paralajmëroi edhe për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rast të një ndërhyrjeje ushtarake amerikane.

“Iranianët deklaruan se në rast pushtimi do të futnin në luftë Jemenin dhe do të kërcënonin Arabinë Saudite dhe Kuvajtin. Këto vende janë shumë të dobta dhe nuk kanë ushtri reale për t’u përballur me një konflikt të tillë,” tha ai.
Sipas tij, vendet e Gjirit janë të brishta dhe varen nga mbrojtja e jashtme.

“Këto janë vende që jetojnë falë teknologjisë amerikane dhe shitjes së naftës. Popullatat e tyre nuk janë të përgatitura për luftë. Ndryshe nga iranianët apo jemenasit, këto vende janë shumë të brishta,” u shpreh Jazexhi.
Analisti paralajmëroi se lufta aktuale mund të ketë pasoja të mëdha për rajonin dhe ekonominë globale, duke e kthyer konfliktin në një krizë të gjerë ndërkombëtare.

“Në këto momente lufta po del jashtë kontrollit dhe rreziku për destabilizim të gjithë rajonit është real,” përfundoi Olsi Jazexhi./K.C/dritare.net