Endri Shabani Avokat i Popullit, Rama: Ata që u bënë pishman, mend për herë tjetër
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet e ndodhura në seancën parlamentare të 18 dhjetorit, ku u betua Endri Shabani si Avokat i ri i Popullit, duke e cilësuar reagimin e opozitës si kaotik dhe të pajustifikuar.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama deklaroi se mazhoranca e mbështeti Shabanin si një kandidaturë të propozuar nga vetë opozita, pavarësisht qëndrimeve kritike që ai ka pasur më herët ndaj Partisë Socialiste dhe ndaj tij personalisht.
Sipas Ramës, opozita kishte dorëzuar firmat e nevojshme dhe e kishte përfshirë Shabanin mes kandidatëve të saj, por reagoi ashpër sapo PS vendosi ta mbështesë atë. Kryeministri e cilësoi këtë sjellje si “qesharake” dhe tha se opozita u pendua për një proces që vetë e kishte nisur.
“Ne respektuam parimin që Avokati i Popullit të vijë nga opozita. Edhe pse kishim votat për të zgjedhur kë të donim, nuk e bëmë këtë,” u shpreh Rama, duke shtuar se Partisë Socialiste nuk mund t’i imponohet asgjë “me pahir dhe budallallëk”.
Rama theksoi se zgjedhja e Endri Shabanit ishte një akt institucional dhe një sinjal respekti ndaj parimeve demokratike, ndërsa reagimet e opozitës i cilësoi si të lodhura dhe pa mësim për të ardhmen./L.F-dritare.net