Figurat e PD janë konsumuar, t’u hapin rrugë të rinjve! Ja përgjigjja e Berishës për qytetarin!
Dritare.net

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi turin e takimeve me mbështetësit e tij, duke u ndalur mbrëmjen e së shtunës në Kurbin, ku zhvilloi një bashkëbisedim me demokratët e zonës. Gjatë diskutimit, Berisha u pyet nga një qytetar lidhur me figurat e konsumuara brenda Partisë Demokratike dhe nevojën për t’u hapur rrugë të rinjve.
"Shumë figura të PD-së që kanë qenë jashtëzakonisht politikanë të shquar, janë konsumuar dhe kam një mendim që duhet t’i hapin krahun të rinjve. Të konsumuarit, ndër vite kanë qenë shumë të suksesshëm… Dikush mund të thotë që është konsumuar dhe dr. Berisha, por ai është playmaker i PD-së. Kanë dështuar shumë udhëheqës botërorë, ndërsa doktori i ka qëndruar kohës.", e pyeti qytetari.
Ndërsa Berisha iu përgjigj:
“PD-ja është një parti që ka ripërtëritur dhe do të ripërtërijë veten. Kjo është e padiskutueshme. Paralelisht me këtë përpjekje, ne jemi në një analizë të vazhdueshme, e cila nuk do të ndërpritet."
Ai theksoi se çdo demokrat është i ftuar të kontribuojë me sugjerime dhe kritika, ndërsa vendimmarrja përfundimtare do t’i takojë anëtarësisë përmes votës.
“Në fund do të jeni ju që, me votën tuaj, do të zgjidhni njerëzit që doni. Vota është liri dhe Partia Demokratike nuk do të largohet kurrë nga ky parim,” përfundoi Berisha./K.C/dritare.net