
Nga Rexhep Qosja!
Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!
Kur mendon se i ke punët më së miri të kërcet prej nga
s’e pret!
Pret bekim e të del mallkim!
Të papriturat, nuk e them unë i pari po e kanë thënë të
tjerë më të mençur se unë, e sundojnë botën. E caktojnë
fatin e njeriut. I nisin luftërat dhe i lidhin paqet.
Më janë rritur fëmijët, djali, Liku, ka kryer fakultetin,
është bërë dramaturg, por me punën e dramaturgut nuk
sigurohet as buka e gojës, prandaj duhej të kryente edhe
një fakultet tjetër, një fakultet për bukën e gojës. Tani po
studion mjekësinë.
Vajza, Anila, është në vitin e fundit të studimeve, në
Fakultetin Ekonomik, do të bëhet shpejt ekonomiste,
po ekonomiste, në një vend në të cilin të gjitha punët e
ekonomisë i caktojnë, i shtojnë a i zvogëlojnë minjtë e
zyrave, po jo edhe nevojat dhe kërkesat e qytetarëve!
Specializohet në Holandë, në Amsterdam.
Ka ndryshuar rendi, nuk jemi më në atë rendin, në të
vërtetë, në atë rendin e fortë që mosduruesit e çdo rendi
e quanin mosrend, komunizëm, por prapë kemi rend duke
qenë të sunduar prej sunduesve të ardhur!
Edhe Liku edhe Anila do të bëhen vetë të dytë, i kanë
gjetur djali shoqen e vajza shokun e jetës. Dhe, kushedi a do
ta vazhdojnë jetën me ne, me mua dhe me Havanë apo do
të shkojnë përgjithmonë ku po shkon numri më i madh i të
rinjve: jashtë, në Amerikë, në Nju-Jork Liku e në Holandë,
në Amsterdam, Anila. I kanë gjetur lidhjet. Këta të rinjtë e
sotëm ndryshojnë shumë prej të rinjve të brezit tim, madje
dhe të brezit të para tyre: e mendojnë botën si të ishte
gjitha shtëpia e tyre, po, shtëpia e tyre e punuar prej babait
e nënës. As udhëtimi me tren, as udhëtimi me aeroplan,
as udhëtimi me anije nuk i lodh aspak! Kur u them se në
aeroplan unë bëhem nëntë kilogramësh ata qeshin, qeshin
pa u ndalur thuajse po dëgjojnë shakatë e Fernandelit; nuk
thashë të XY-së, i cili më bën më shumë se Fernandeli që
të qesh, sepse për humoristët e huaj, të Francës, të Italisë a
të Britanisë dinë më shumë se për humoristët e vendit, më
shumë se për humoristët e Shqipërisë.
Edhe vetë i kam punët mirë, punët mirë me punën time,
me punën e përkthyesit arkivist. S’e kam menduar se puna e
përkthyesit në arkiv, që i thonë përkthyes arkivist, është farë
pune e rëndësishme dhe e çmueshme, por nuk mendon edhe
Ai si unë. Shumëkush, sidomos intelektualët, Saniu, Sani
Caku dhe Sejdiu, Sejdi Lipa, janë shumë të interesuar të dinë
se çka ka në arkiva, çka fshihet në to, çka fshihet në arkivat
e kohës së komunizmit e çka në arkivat e kohës së sotme,
të quajtura arkiva të demokracisë, të demokracisë, thotë Ai,
Saniu, të kësaj demokracie, të cilën po e shkërdhejnë prej të
dyja anëve, prej përpara dhe prej përmbrapa, prej mbrapsht
thonë në Tiranë, thotë Ai, Saniu, dhe thonë ata Sejdiu e
Sedati, Sedat Lamaxhiu, që më mirë se Ai, Saniu, dinë si
shkërdhehen dosjet arkivore!
Por, por, por për arkivat e për arkivizmin nuk lodhen vetëm
intelektualët, gjysmat dhe çerekët e tyre, që përmenda dhe
s’përmenda, por edhe ish-politikanët, Mahiri dhe Koleci,
ata që ishin në pushtet në kohën e komunizmit e tani jetojnë
me pensione. Të mos harroj të tregoj se disa prej shokëve
të tyre, edhe këtu, në Prishtinë, edhe atje, në Tiranë, janë
futur në pushtet dhe sundojnë siç sundonin dikur vetë apo me bijtë e me bijat e tyre.
Të gjithë ata, si të Mahirit e të Kolecit, duan të dinë, shumë duan të dinë, se çka ka në arkiva. Në qoftë se intelektualët, me gjysmat dhe çerekët e tyre, të shkretët, duan të dinë, bëjnë çmos që të dinë, se çka
ka në to për ta, çfarë shënimesh gjenden në arkiva për ta,
për sundimin e tyre, thonë, ata të politikës duan të dinë a
janë në arkiva të ruajtura të gjitha kontrimutet e tyre bashkë
me kontributet e atyre intelektualëve, atyre gjysmë e çerek
intelektualëve të tyre, të Samiut, Sejdiut e Sadatit, të gjitha
kontributet e kontrimutet e tyre informuese, kallëzuese,
bashkëpunuese, agjentuese me, me kënd se, me jorgoviqët,
stijoviqët, mihajlloviqët e iqët e viqët e tjerë. Edhe të parët,
edhe të dytët, edhe dyshi, edhe treshi dikur kanë dëshiruar,
shumë kanë dëshiruar, kanë bërë çmos që të lënë gjurmë,
gjurmë sa më të gjera e sa më të thella në historinë tonë,
por atëherë në kohën e tyre, nuk janë lodhur shumë të
mendojnë se si do të shikohen dikur ato gjurmë, çfarë do
të jenë ato gjurmë, si do të kuptohen e si do të çmohen
dikur: të mëdha, të vogla, të mira, të këqija, të ndershme,
të poshtra, me këpucë, me opinga, me çizme, me çizme të
fabrikës së Milanos a të fabrikës së Nishit? E tani janë në
hall të madh, bëjnë shumë përpjekje për t’i zhdukur ato
gjurmë prej arkivave. Dhe, disa prej tyre, qoftë ata të tre,
qoftë ata të dy, i gjejnë zhdukësit, kryesisht trepërçikët e
tyre!
Ai, a e dini kush është ai, dikush e di e dikush s’e di, por
edhe ata që e dinë bëhen se nuk e dinë. Ai, Agush Ollmani,
ka bërë çmos që të pastrojë arkivat prej kontributeve, apo, siç
thoshte Ramiz Kelmendi, prej kontrimuteve të dikurshme
të tij, të atij Ai-t? Tani disa të tjerë, që i ka dashur dikur dhe
nuk i do sot, i quan mëkatarë të djeshëm, kurse vetveten e
quan shenjtor! Djalli i djeshëm shenjtor i sotëm!
Sa vështirë është të kesh punë me djallin e shenjtëruar, s’e di kur të del
e prej nga të del, përpara a përmbrapa! Ruana Zot prej tij!
Dhe prej ndihmësve të tij, trepërçikëve të tij, se vetë, pa
ndihmën e Zotit, nuk mund të ruhemi prej tyre!
Eh, arkivat! Sa të rëndësishëm e sa të rrezikshëm janë!
Arkivat janë magazinat e lavdive!
Arkivat janë bodrumet e prishësive!
Arkivat janë përcaktues të mendimeve të historisë!
Arkivat janë bibliotekat e historisë!
Arkivat janë enciklopeditë e historisë!
E arkivistët? Kush janë arkivistët? Çka janë arkivistët?
Arkivistët janë historianët e vërtetë të historisë, edhe pse
historianët zyrtarë i konsiderojnë punëtorë të tyre, punëtorë
fizikë të tyre!
Arkivistët janë autorët fizikë më të mëdhenj të historisë!
Dhe, më tej, çka mund të thuhet më tej për arkivistët?
Mund të thuhet:
Arkivistët janë prokurorët e heshtur të historisë!
Arkivistët janë gjykatësit e heshtur të historisë!
Arkivistët janë dëshmorët e historisë!
Arkivistët janë heronjtë e historisë!
Qe, sa mirë, unë si përkthyes arkivist jam edhe dëshmor,
edhe hero i historisë! Nuk jam ende, por duhet të bëhem
edhe dëshmor, edhe hero i historisë!
Por, a mund të jenë arkivistët edhe mëkatarët e historisë,
edhe komprometuesit e historisë?
Varet si sillen në arkiva, si e tregojnë, si e ruajnë, si
e japin, kujt ia japin për përdorim apo si e përdorin vetë
lëndën e arkivave. Biblën e arkivave!
Unë jam më shumë se vetëm arkivist!
Unë jam edhe përkthyes arkivist!
Nuk do të doja të më quajnë përkthyes arkivist!
Do të doja të më quajnë vetëm përkthyes!
E lodh mendjen duke menduar mirë e keq për arkivistët
- çka jam edhe vetë e para syve të mi Havaja, e lodhur,
si e pikëlluar, duke hequr zharg këmbën e djathtë! Hava, Havaja ime!/dritare.net
*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net

















