
Kur rrjetet sociale të tregojnë një jetë që nuk është e jotja!
Dritare.net
Jetojmë në një kohë ku rrjetet sociale janë bërë pasqyra e botës, por shpesh, një pasqyrë e shtrembëruar. Vajzat dhe djemtë adoleshentë, në moshën kur duhet të ndërtojnë identitetin dhe të vendosin për të ardhmen, ekspozohen çdo ditë ndaj një bote të përkryer dixhitale, profesione që duken të lehta, jetë që duken perfekte, rrugë që duken të sigurta. Por a janë?
Në një bisedë të sinqertë në Dritare, katër vajza adoleshente Ami Sulaj, Katerina Shehaj, Ema Çinari, Noelia Mertiri treguan pa filtra sesi rrjetet sociale i kanë bërë shpesh të dyshojnë te vetja dhe të ndikohen nga trendet e momentit. “Kur sheh një influencuese që udhëton gjithë kohën dhe thotë se fiton nga dizajni grafik, të duket sikur është profesioni ideal,” tha njëra prej tyre. “Por nuk e di çfarë sakrifice ka bërë për të qenë aty.”
Profesione që duken të bukura nga jashtë, por s’janë për ty
Të rinjtë po rriten duke parë punë që duken “cool”, por që nuk përkojnë aspak me aftësitë, karakterin apo pasionet e tyre. Dhe ndonjëherë, vetëm sepse duken tërheqëse në TikTok apo Instagram, ata përpiqen të ndjekin një rrugë që nuk është për ta.
Dhe kur realiteti nuk përputhet me ëndrrën dixhitale, zhgënjimi është i pashmangshëm.
Krahasimi: një rrezik i heshtur
Kur shohim çdo ditë njerëz që bëjnë “punën e ëndrrave” dhe shfaqin vetëm anën e bukur të saj, lind pyetja:
A jam vonë? A jam mbrapa? A po bëj zgjedhjen e gabuar?
Në fakt, nuk je mbrapa. Thjesht, je duke parë një realitet të përzgjedhur – të montuar, të filtruar dhe të kuruar për të krijuar një imazh, jo për të treguar të vërtetën.
Zgjidhja? Njih veten, jo rrjetin
Internetin dhe rrjetet sociale duhet t’i përdorim për informim, jo për imitacion. Duhet të mësojmë nga eksperiencat, të hulumtojmë mbi profesionet që na tërheqin, por mbi të gjitha, të pyesim veten: “E dua unë këtë gjë? Më përfaqëson mua?”
Sepse, në fund të fundit, rrjetet sociale nuk do ta jetojnë jetën tënde. Ti do ta jetosh. Dhe ajo jetë nuk ka nevojë të duket bukur në Instagram, por të ndihet mirë në shpirtin tënd./dritare.net

















