
Çfarë do bëhesh kur të rritesh? Vajzat e Dritares flasin pa filtra për zgjedhjen e profesionit
Dritare.net
Zgjedhja e degës pas gjimnazit nuk është thjesht një hap drejt universitetit. Është një nga vendimet më të rëndësishme të jetës, një zgjedhje që ndikon në identitetin, të ardhmen, lumturinë dhe drejtimin që do të marrë jeta e çdo të riu. Në vend që të bëjmë një emision për ta, këtë herë në Dritare vendosëm t’i dëgjojmë ata.
Katër vajza adoleshente, Ami Sulaj, Katerina Shehaj, Ema Çinari, Noelia Mertiri, folën pa filtra në një bisedë intime dhe të sinqertë për atë që i shqetëson, i frymëzon dhe i bën të mendojnë për të ardhmen.
Si ta njoh veten që të zgjedh drejt?
“Nuk mund të zgjedhësh një profesion vetëm për lekët. Nëse do ta bësh çdo ditë për vite me radhë, duhet ta duash.”
Vajzat theksojnë se njohja me veten është hapi i parë. Të kuptosh çfarë të pëlqen, ku je e mirë, dhe çfarë të mbush shpirtërisht është më e rëndësishme se çdo këshillë. Shumë prej tyre kanë zbuluar pista profesionesh përmes hobeve që kanë pasur që të vegjël, qoftë vizatimi, organizimi, komunikimi apo drejtimi i grupeve.
Shkolla apo përditshmëria, çfarë ndihmon më shumë?
“Shkolla të jep disa orientime, por nuk mjafton. Duhet të provosh vetë.”
Sipas vajzave, eksperiencat jashtëshkollore, aktivitetet, projektet dhe kontaktet me njerëz realë ndihmojnë shumë më tepër për të kuptuar se kush je dhe çfarë të përshtatet.
Rrjetet sociale: mundësi apo kurth?
“Na ndikon shumë ajo që shohim online, ndonjëherë edhe pa e kuptuar.”
Teknologjia dhe interneti, thonë ato, janë mjete të dobishme për të eksploruar fusha të ndryshme: IT, dizajn, media, madje edhe mjekësi. Por njëkohësisht, janë të vetëdijshme që rrjetet sociale shpesh i shtyjnë të idealizojnë profesione që duken të bukura vetëm nga jashtë. “Duhet të dish të ndash atë që do ti me atë që është thjesht trend.”
A është paga më e rëndësishme se pasioni?
“Po punove gjithë jetën në një punë që nuk të pëlqen, sado të paguajnë, do jesh bosh.”
Për to, balanca është çelësi: një profesion që të sjell të ardhura të mjaftueshme, por edhe që të bën të ndihesh mirë. “Po shpenzon një të tretën e jetës në punë. Duhet të jetë diçka që të përmbush.”
Në fund, një mesazh i qartë:
Zëri i të rinjve duhet dëgjuar. Ata dinë të mendojnë, të analizojnë dhe të reflektojnë. Duhet vetëm të ulesh e t’i dëgjosh.
Në Dritare, do t’ua hapim gjithmonë mikrofonin./dritare.net

















