
Ministri Gonxhja: Më shumë mbështetje për kulturën. 933 evente dhe 300 milionë lekë grante në vitin 2025
Dritare.net
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka ndarë sot bilancin e Programit Kombëtar për Grantet e Kulturës dhe Krijimtarisë 2025, duke theksuar rritjen e jashtëzakonshme të mbështetjes për artistët dhe institucionet kulturore në të gjithë vendin.
Sipas ministrit Gonxhja, gjatë këtij viti janë mbështetur 933 aktivitete kulturore dhe krijuese, më shumë se dyfishi i vitit të kaluar, përfshirë festivale, koncerte, ekspozita, panaire artizanati, lexime letrare dhe shfaqje teatrore në çdo cep të Shqipërisë.
Rekorde të reja në mbështetje dhe përfshirje
Ministria raportoi 275 projekte fituese, një rritje me 37% krahasuar me vitin 2024, në kuadër të katër skemave kryesore të mbështetjes:
Ngjarje Kulturore & Krijuese: 129 projekte
Programet Kulturore të Organizatave: 45 projekte
Fondi i Krijimtarisë: 54 projekte
Fondi i Artizanëve: 47 projekte
Një tjetër tregues i rëndësishëm është se mbi 51% e përfituesve janë për herë të parë, duke i dhënë hapësirë zërave të rinj në artin dhe kulturën shqiptare.
Mbështetje financiare dhe ndikim në punësim
Mbështetja financiare për vitin 2025 ka arritur vlerën rekord prej 300 milionë lekësh, me një rritje prej 141% krahasuar me vitin 2024.
Ky investim ka gjeneruar angazhimin e 1,566 profesionistëve të fushës, përfshirë artistë, artizanë, teknikë, menaxherë dhe punonjës të institucioneve kulturore.
“Me çdo projekt të mbështetur, afrojmë kulturën me njerëzit dhe nxisim krijimtarinë që pasuron jetën tonë të përditshme,” – tha Ministri Gonxhja në postimin e tij.
Synimet për vitin 2026
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit synon që në vitin 2026 të rrisë më tej mbështetjen për artistët, qendrat kulturore dhe institucionet e artit, duke forcuar rolin e kulturës si motor zhvillimi shoqëror dhe ekonomik në vend./L.F-dritare.net

















