Na ndiqni edhe në

Bota

Macron: Franca do ta njohë shtetin e Palestinës!

Macron: Franca do ta njohë shtetin e Palestinës!

Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë të ditur se Franca do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në një deklaratë që pritet të bëhet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.

“Duke qëndruar besnike ndaj angazhimit të saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca do ta njohë shtetin e Palestinës,” shkroi Macron në rrjetin social X.

Ai theksoi se prioriteti i menjëhershëm është ndalimi i luftës në Gaza dhe shpëtimi i popullatës civile. Macron përsëriti thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm, leje për ndihma humanitare në Gaza, lirimin e të gjithë pengjeve dhe çmilitarizimin e Hamasit.

“Duhet të ndërtojmë shtetin e Palestinës, të sigurojmë qëndrueshmërinë e tij dhe, përmes pranimit të çmilitarizimit dhe njohjes së plotë të Izraelit, të kontribuojë në sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme. Nuk ka alternativë tjetër,” shtoi Macron.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, tha se konsulli në Jerusalem i ka dorëzuar një letër të Macron-it Autoritetit Palestinez, ku njoftohet për këtë vendim. Ai shtoi se do ta ritheksojë angazhimin e Francës në OKB të hënën.

Në reagim, nënkryetari i Autoritetit Palestinez, Hussein Al Sheikh, falënderoi Macron-in përmes një postimi në X, duke vlerësuar letrën drejtuar Presidentit Mahmoud Abbas.