Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Petro Koçi: Pikat e forta dhe të dobëta të qeverisë Rama!

Petro Koçi: Pikat e forta dhe të dobëta të qeverisë

Në një intervistë për emisionin Dekalog në DritareTV me gazetarin Roland Qafoku, Petro Koçi ka bërë një analizë të balancuar të qeverisë së Edi Ramës, duke evidentuar si pikat e forta, ashtu edhe ato të dobëta.
Koçi e vlerësoi maksimalisht rolin personal të kryeministrit në politikën e jashtme dhe procesin e integrimit evropian:
“Në politikën e jashtme, Rama ka shkëlqyer. Ajo që ka bërë ai, nuk e ka bërë askush tjetër. Shqipëria është më pranë se kurrë për anëtarësim në BE dhe për këtë merita i takon edhe Edi Ramës, pa dyshim.”
Ai theksoi se administrata që merret me integrimin evropian meriton notën 8, ndërsa institucionet e tjera të qeverisë vlerësohen vetëm mes notave 5 dhe 6. Ndërkohë, për Ramën individualisht, Koçi nuk kurseu lavdërimin:
“Rama individualisht merr notën 10. E them me bindje, si një nga kritikët më të fortë të tij brenda së majtës.”



Megjithatë, Petro Koçi nuk i kurseu kritikat për një nga pikat më problematike të qeverisjes Rama, atë të administratës publike, veçanërisht në nivelet që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët.
“Pika më e dobët është marrëdhënia me administratën. Dhe po e nis me hipotekat. Aty ka dështim. Duhet reformuar plotësisht, duhet qasje e re, norma të reja, detyrime të reja. Njerëzit janë lodhur duke kërkuar të drejtën e tyre. Pse nuk realizohet? Sepse edhe inteligjenca artificiale nuk ndihmon kur shqiptari i korruptuar di t’ia dalë edhe aty.”
Koçi e pranoi që përgjegjësia për problemet bie edhe mbi Ramën, sidomos për vendosjen e drejtuesve të paaftë në krye të institucioneve:
“Emërimet vijnë nga lart. Fajin nuk e ka vetëm sistemi, por edhe individi, sidomos drejtuesi. Kur je në krye, nuk ka rëndësi vetëm fjala jote, por edhe modeli që krijon.”
Duke përmbyllur vlerësimin e tij, Koçi theksoi se në një vend të vogël si Shqipëria “çdo hap merret vesh” dhe se mungesa e rezultateve në administratë është rezultat i drejtuesve që nuk përçojnë standarde dhe përgjegjësi./K.C/dritare.net