Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Erion Braçe: Dua një parlament të ri që është ambient pune, jo arenë kacafytjesh

Erion Braçe: Dua një parlament të ri që është

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, në një intervistë për emisionin “Dekalog” me gazetarin Roland Qafoku në DritareTV, ka folur me tone të drejtpërdrejta për pritshmëritë që ka ndaj legjislaturës së re që nis punën në shtator, që do përbëhet nga 53 deputët të rinj. Ai theksoi se Kuvendi duhet të jetë mbi të gjitha një ambient pune dhe jo një skenë për kacafytje politike apo përplasje personale.

“Dua një ambient pune në Kuvend dhe në Partinë Socialiste. Dua të punoj. Mandatin tim katërvjeçar dua ta kthej në punë për njerëzit, në territor dhe në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë,” u shpreh Braçe.
Sipas tij, shumë deputetë të rinj ende nuk e konceptojnë veten si “punëtorë të ligjit”, por si figura që ndihen mbi institucionet, përfshirë edhe qeverinë. Ai kritikoi edhe atmosferën që, sipas tij, shpesh bëhet toksike brenda vetë Partisë Socialiste, për shkak të interesave për poste ministrore apo llogaritjeve elektorale.

“Nuk mund të bësh qeverisje në një ambient toksik. Dhe kjo thirrje nuk është për Kryeministrin. Është për ne, për ne që jemi përreth, për disa që mendojnë se pas dy ose katër vitesh do të bëhen direkt ministra."

Ai i bëri thirrje kolegëve të fokusohen te përgjegjësitë që kanë marrë me votë dhe të mos shohin mandatin vetëm si trampolinë për emërime të reja në qeveri.

“Çfarë është kjo?! Përmbush mandatin që ke marrë. Dhe nëse je i/e paaftë ta përmbushësh, mos e kthe ambientin në toksik. Se nuk është kundërshtari yt që të merr atë që ti mendon se të takon. Po ti e do me çdo kusht, mendon se është e jotja, dhe nuk pranon as konkurrencë, as ndarje. Kështu nuk funksionon. As ministri nuk është ndonjë privilegj i madh, është punë, madje me shumë përgjegjësi. Sidomos në kushtet kur drejtësia po funksionon.”
Për Braçen, legjislatura e re duhet të jetë më shumë e përqendruar te puna konkrete sesa te retorika apo përplasjet e brendshme. Ai e konsideroi Kuvendin si vendin ku miratohen vendimet më të rëndësishme për vendin, nga buxheti te politikat fiskale dhe ku duhet të ketë seriozitet institucional./K.C/dritare.net