
Kardiologu Spiro Qirko jep këshillat për një regjim ushqimor të shëndetshëm: Mollë, kos dhe peshk
Dritare.net
Në emisionin “Dritarja e Doktorit”, kardiologu i njohur Spiro Qirko ka dhënë disa këshilla të vlefshme për një regjim ushqimor të shëndetshëm, duke vënë theksin te rëndësia e orareve dhe përzgjedhja e ushqimeve të lehta për zemrën dhe organizmin.
Sipas doktorit, mëngjesi ideal duhet të konsistojë vetëm në një pjatë kos me tërshërë dhe një mollë. Ai theksoi se ky kombinim i thjeshtë ndihmon në nisjen e ditës me energji pa ngarkuar trupin.
“Në orën 12 duhet të konsumohet dreka,” – tha ai, duke e konsideruar këtë orar si optimal për organizmin. Menuja e rekomanduar përbëhet nga një sallatë, një pjatë perimesh të ziera dhe një burim proteinash si mish pule ose peshk – ku ky i fundit është më i rekomanduar dhe një fetë bukë. Mjeku sugjeron që peshku të konsumohet dy herë në javë, dhe mishi gjithashtu dy herë, duke ruajtur balancën dhe shmangur yndyrnat e tepërta.
Në mesvaktet, doktori i zemrës këshillon konsumin e një molle, veçanërisht rreth orës 10 të paradites dhe sërish në orën 18:00, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak të qëndrueshëm.
Darka, sipas tij, duhet të jetë e thjeshtë: një gotë kos dhe një fetë bukë, duke shmangur çdo ngarkesë ushqimore në orët e vona.
Ndër frutat, molla është më e mira, sipas doktorit, ndërsa sugjeron shmangien e konsumimit të tepërt të frutave me shumë sheqer si: bananet, rrushi, pjeshka, shalqiri, fiqtë dhe bostani.
“Orari është po aq i rëndësishëm sa edhe ushqimi vetë,” – theksoi mjeku, duke nënvizuar se ndjekja e një rutine të qëndrueshme ndihmon jo vetëm për shëndetin e zemrës, por edhe për kontrollin e peshës dhe mirëqenien e përgjithshme./L.F-dritare.net

















