
Zona turistike e Benidormit dhe rajonet përreth në jug të Spanjës janë përfshirë nga moti ekstrem, me reshje të mëdha shiu, stuhi vetëtimash dhe breshër të përmasave të pazakonta, duke shkaktuar përmbytje të mëdha dhe dëme materiale.
Pamje dramatike të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë ujërat që rrjedhin me vrull nëpër rrugët e qytetit Moratalla, ndërsa vetëtimat ndriçonin qiellin mbi plazhin e famshëm të Benidormit.
Në qytetin Cieza, uji ka përmbytur shkallët e rrugicave, ndërsa në Caravaca de la Cruz, breshëri me madhësinë e topave të golfit ka thyer xhamat e makinave të parkuara dhe ka mbuluar rrugët me shtresa akulli. Disa banesa janë evakuuar, dhe sipas autoriteteve, në zonat më të goditura kanë rënë deri në 90 litra shi për metër katror.
Shërbimet emergjente janë vënë në punë për të zhvendosur automjetet e rrezikuara nga rrjedhat e ujit dhe për të pastruar rrugët nga grumbujt e breshërit të ngrirë. Erërat kanë arritur deri në 55 km/h përgjatë bregdetit, veçanërisht në zonën e La Manga del Mar Menor.
Parashikimet sinjalizojnë reshje të tjera intensive gjatë ditëve në vijim në zonat Altiplano, veriperëndim dhe Vega del Segura, me rrezik për përmbytje të mëtejshme dhe breshër mbi 2 cm. Paralajmërimet e motit të keq u lëshuan nga ora 6 e mëngjesit të enjten dhe qëndruan në fuqi deri në mesnatë, ndërsa të premten në mëngjes situata nisi të qetësohej në rajonin e Murcias.
Ndërkohë, pjesë të tjera të Spanjës përballen me zjarrfikje për shkak të rrufeve që kanë shkaktuar vatra të shumta zjarri, duke vënë në alarm shërbimet e emergjencës.
Temperaturat kanë rënë me 10°C në krahasim me javën e kaluar, kur zona po përjetonte një valë të nxehti. Megjithatë, fundjava pritet të sjellë një përmirësim të motit, duke u dhënë banorëve dhe pushuesve mundësinë për pastrim dhe rikuperim.
Ky është episodi i dytë i motit ekstrem në zonë brenda dy javëve, ku më parë janë raportuar edhe makina të tëra të përfshira nga rrjedhat e ujit dhe tërhequr nëpër rrugë apo lumenj./K.C/dritare.net

















