
Këtë fundjavë, Prishtina u shndërrua në skenën e një prej ngjarjeve më të përfolura të vitit, ku Teuta Rugova, vajza e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, i dha “po-në” partnerit të saj, Agron Gjeloshi, në një ceremoni që ndërthurte hijeshinë e traditës shqiptare me elegancën moderne.
Ceremonia u mbajt në Katedralen “Nënë Tereza”, në një atmosferë solemne e plot emocion. Çifti u prit me duartrokitje të ngrohta, ndërsa pas pjesës fetare, festa u zhvendos në një ambient festiv në kryeqytet, ku u organizua një pritje madhështore.
Teuta Rugova shkëlqeu me një fustan të bardhë dantelle, punuar me delikatesë dhe stil, ndërsa Agroni zgjodhi një kostum klasik që i jepte një pamje elegante dhe të përmbajtur.
Mes të ftuarve të shumtë, vëmendje të veçantë tërhoqi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila jo vetëm mori pjesë në festë, por befasoi me një pamje të re – flokë të drejtë dhe onde të lehta, ndryshe nga stili i saj karakteristik.
Dasma e Teutës dhe Agronit u kthye në një mbrëmje të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.

















