
Berat, zjarret nën kontroll. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në krye të operacionit në terren
Dritare.net
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndodhej këtë të premte në Qarkun e Beratit, ku ndoqi nga afër operacionin për shuarjen e vatrave të zjarrit në zonën e Shpiragut, si dhe monitorimin ajror nga baza ajrore e Kuçovës, prej nga operojnë avionët e ardhur nga vendet partnere.
Sipas ministrit, dita e sotme ka qenë një ndër më të nxehtat, me temperatura që kanë arritur 44-45°C, duke e bërë situatën më të vështirë për ndërhyrje. Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 36 vatra zjarri, prej të cilave 12 janë shuar dhe 24 mbeten ende aktive.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me bazën ajrore të Kuçovës dhe atë të Farkës, ku operojnë helikopterët dhe avionët Canadair, në kuadër të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile. Zjarret kanë prekur më së shumti qarqet e Vlorës, Dibrës dhe Beratit, ndërsa fokusi kryesor është mbrojtja e jetës, banesave dhe infrastrukturës”, tha Vengu.
Ministri theksoi se situata është nën kontroll, por mbetet serioze dhe kërkon vigjilencë. Forcat në terren janë të përqendruara në zona kritike si Shpiragu, Paftali, Borshi, Piqerasi, Kanina, Selenica dhe Shashica, ku janë aktivizuar helikopterë shqiptarë dhe aleatë kroatë e italianë.
Vengu falënderoi gjithashtu vendet partnere për mbështetjen e menjëhershme dhe kontributin aktiv në përballimin e situatës: “Aleatët tanë kanë qenë të pranishëm dhe të gatshëm në çdo moment, me avionë që vijnë e shkojnë sipas nevojave operacionale”, përfundoi ai.
Ndërhyrjet ajrore janë pezulluar për shkak të errësirës, por do rifillojnë në mëngjes me plane të mirëorganizuara pune./L.F-dritare.net

















