Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK godet një nga rrjetet më të mëdha ndërkombëtare të trafikut të drogës

SPAK godet një nga rrjetet më të mëdha

Një tjetër operacion madhor i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka çuar në zbërthimin e një rrjeti kriminal ndërkombëtar të trafikut të drogës, me përmasa të jashtëzakonshme dhe përfshirje në disa vende të Evropës dhe Amerikës Latine.

Hetimet e thelluara, të zhvilluara në bashkëpunim me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë ligjzbatuese evropiane, Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, kanë çuar në sekuestrimin e mbi 6 ton lëndë narkotike, kryesisht kokainë, me një vlerë tregu që kap shifrën e 411 milionë eurove.

16 persona nën hetim – 7 masa “arrest në burg”

Fillimisht, më 15 maj 2024, SPAK regjistroi procedimin penal nr. 184/3 të vitit 2024 ndaj 9 shtetasve të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje veprash penale nga ky grup. Gjatë muajit korrik 2025, u përfshinë edhe 6 persona të tjerë në hetim, duke e çuar numrin total të të dyshuarve në 16.

Më 25 korrik 2025, Gjykata e Posaçme caktoi masën e arrestit me burg për 7 prej tyre. U arrestuan 6 persona: A. H., K. H., E. N., E. A., P. D. dhe I. Ll., ndërsa një tjetër, D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë kontrolleve të autorizuara, në banesën e njërit prej të arrestuarve u sekuestruan 3 armë zjarri, për të cilat u krye arrestim në flagrancë.

Pasuri të sekuestruara dhe mjete kriminale

Hetimi i gjerë ka zbuluar një rrjet të mirëorganizuar me logjistikë të sofistikuar dhe struktura të specializuara për transportin dhe shpërndarjen e drogës. Nga kontrollet e kryera janë sekuestruar:

Shuma monetare:

43,470 euro
5,000 franga zvicerane
Automjete:

Mercedes Benz AMG G63
Volkswagen Golf 7a
Volkswagen Sharan
Mjet lundrues:

Skaf luksoz “Hull Works Sarock 40”, viti 2025
Armë zjarri:

3 pistoleta me municion
Aksesorë luksi:

Rolex model 126613LN
Richard Mille McLaren RM50-03/68
Pajisje teknologjike dhe komunikimi:

16 telefona celularë
19 karta bankare ndërkombëtare
Dron profesional DJI Mavic 2 Enterprise
8 hard disqe (6TB)
NVR Hikvision
2 radio Baofeng
Dokumentacion i pasurive dhe identifikimi ndërkombëtar:

Patenta, karta ID, dokumente prone dhe transaksione bankare në Dubai, Gjermani, Itali dhe Panama

Nga Amerika Latine në Evropë
Grupi përdorte një strukturë shumë të organizuar për trafikun e drogës, me:

Burimin e kokainës në Kolumbi dhe Ekuador (Santa Marta)
Transportin me kontejnerë detarë drejt porteve në Belgjikë (Antwerp), Holandë (Rotterdam), Francë dhe Itali
Metoda të fshehjes si paleta druri, kuti me banane dhe thasë me kakao
Komunikim të koduar përmes Sky/ECC për planifikimin dhe koordinimin
Pagesa përmes sistemit informal Hawala për të shmangur sistemin financiar formal

Roli i organizatorëve dhe ndarja e strukturës
Sipas SPAK, rrjeti kishte një strukturë hierarkike ku drejtuesit dhe financuesit porosisnin ngarkesat dhe organizonin logjistikën ndërkombëtare, shpesh nga vende si Dubai, Britania dhe BE. Poshtë tyre funksiononin koordinatorët e transportit dhe më pas shpërndarësit në vendet pritëse.

Deklarata nga prokurorët Altin Dumani dhe Adnan Xholi:
“Struktura organizative e këtij grupi kriminal me shtrirje në disa kontinente dhe 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare.”
Ata theksuan se analiza e komunikimeve të dekriptuara nga Sky/ECC ishte thelbësore për identifikimin e personave, episodeve kriminale dhe strukturës së grupit.

Bashkëpunim ndërkombëtar i ngushtë
Hetimi përfshiu një bashkëpunim të ngushtë me:

EUROPOL
EUROJUST
Autoritetet e vendeve si Franca, Belgjika, Holanda, Spanja, Italia, Mbretëria e Bashkuar
Agjencitë ligjzbatuese të Amerikës Latine

Ky është një nga hetimet më të suksesshme dhe më të thelluara të zhvilluara nga SPAK në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, që ka goditur një rrjet të gjerë me ndikim të madh në trafikun e drogës në Evropë. Hetimet vijojnë dhe priten arrestime të tjera në javët në vijim./L.F-dritare.net