
Fation Plaku, udhërrëfyesi që na çoi te Gjiri Inglizit: Udhëtim përmes historisë, natyrës dhe shpirtit shqiptar
Dritare.net
Në dokumentarin “Nëpër sekretet e shpellave të Karaburunit” nga Rudina Xhunga për Dritare TV, udhëtimi nuk është vetëm televiziv. Është fizik, shpirtëror dhe historik. Dhe është Fation Plaku, biri i kësaj toke, ai që na udhëheq në këtë rrugë të jashtëzakonshme – nga resorti modern i Green Coast deri te Gjiri i Gramës, përmes shpellave, legjendave dhe relikeve të Luftës së Dytë Botërore.
Kush është Fation Plaku?
Fationi është një djalë nga Palasa, që njeh çdo shteg, çdo gur, çdo frymë të këtij territori. Ai nuk është thjesht një guidë. Është kujtesa e gjallë e brezave që kanë jetuar me malin dhe detin. Ka vite që çon alpinistë dhe aventurierë nëpër këto shtigje, dhe e ndan me pasion historinë, biodiversitetin dhe bukurinë e vendlindjes së tij.
Cila është rruga që përshkon dokumentari?
1. Green Coast – Palasë
Nisëmi nga resorti modern me skaf, kalojmë “Shtegun e ushtarit”, rrugë që në kohën e komunizmit përdorej për patrullim nga repartet ushtarake.
2. Gjiri i Shën Andreut
Pas afro 15 min ne mbërrijmë në Gjirin e Shën Andreut, një zonë e egër dhe e qetë, ku ndaleshin ushtarët për furnizime dhe pushim.
3. Gjiri i Nezhajve
Një gji thuajse i panjohur, që ruan gjurmë natyrore të paprekura. Këtu bëjmë pushim në det, para se të ngjitemi drejt pjesës më të vështirë: shpella.
4. Shpella Sekrete – Gjiri i Anglezit
Është pika kulmore e dokumentarit. Fationi tregon vendndodhjen e saktë të shpellës ku janë strehuar edhe infermieret amerikane në 1944. Brenda saj ka ende konserva, mbetje armatimi, stalaktite, kujtime të luftës dhe heshtje të thellë.
5. Gjiri i Gramës. Ne kthim ndalojme te
një nga vendet më historike të Rivierës: Gjiri i Gramës. Me mbishkrime latine e greke, me relike detare, me histori antike e moderne, ky vend është një muze natyror nën qiell të hapur.
Pse ky udhëtim është unik?
“Nuk është rrugë për pushim,” thotë Fationi. “Është rrugë për ata që duan të zbulojnë, të ndjejnë dhe të respektojnë këtë vend. Të mos kalojnë thjesht për një foto me dron, por të kuptojnë historinë e një toke që ka shpëtuar jetë dhe që ende flet.”
Ky dokumentar nuk tregon vetëm Shqipërinë e bukur – tregon Shqipërinë e guximshme. Aty ku historia nuk është e arkivuar, por e gjallë. Aty ku natyra nuk është dekor, por sfidë dhe shpërblim./ dritare.tv

















