
Zjarret në vend! Reagon kryeministri Edi Rama!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të diel në lidhje me situatën e zjarreve që kanë përfshirë disa zona të jugut të vendit, duke vlerësuar maksimalisht përkushtimin e forcave të angazhuara në terren. Në një mesazh publik në rrjetet sociale, ai shpreh mirënjohje për efektivët e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, zjarrfikësve, si dhe punonjësve të Emergjencave Civile dhe Urgjencës Kombëtare, të cilët po punojnë pa ndërprerje për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.
Kryeministri ka veçuar me admirim rastin e shefit të Policisë së Delvinës, Agim Troci, i cili, siç thekson Rama, “shpëtoi jetë duke rrezikuar të tijën”, duke treguar shembullin e një përkushtimi të jashtëzakonshëm në kohë krize.
Postimi i plotë i Kryeministrit:
“MIRËMËNGJES dhe me falënderimin me respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura e të Policisë së Shtetit po ashtu, me një veçim plot admirim për shefin e policisë së Delvinës, Agim Troci që shpëtoi jetë duke rrezikuar të tijën, si edhe zjarrfikës, forca të Urgjencës Kombëtare e të Emergjencave Civile, të cilët janë në gatishmëri në këtë kohë të vështirë zjarresh në gjithë Europën Mesdhetare, ju uroj të diel të mbarë”
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Medias dhe Informacionit (MIA), 247 efektivë të Forcave të Armatosura janë të angazhuar aktualisht në terren për përballimin e emergjencës nga zjarret, të ndihmuar edhe nga helikopterë të Forcës Ajrore.
Situata mbetet kritike në disa zona të bregdetit jugor, ku flakët kanë rrezikuar banesa, biznese dhe zona turistike, ndërsa autoritetet vazhdojnë ndërhyrjet intensive nga toka dhe ajri./K.C/dritare.net

















