
Nga Dritare TV
Një 18-vjeçar, Ron Balaj, që punon si kamerier në një hotel Regina ne Vlorë, u dhunua përpara klientëve nga një ish-shef i qarkullimit rrugor dhe miku i tij. Arsyeja? Sipas tyre, kishte sjellë një shishe ujë më shumë. E ndëshkuan me shuplaka dhe grushte. Jo sepse bëri ndonjë gabim të madh, por sepse mundën. Sepse menduan se janë më lart se të tjerët. Sepse menduan se mund të godasin dhe të largohen pa pasoja.
Tani, le të ndalemi dhe të pyesim veten:
A doni që fëmijët tuaj të jetojnë në këtë vend?
A doni që të punojnë ndershëm dhe të mos kenë frikë se do t’i përplasin në mur për një gabim njerëzor, apo thjesht nga kapriçoja e ndonjë të forti me uniformë?
A doni që të ndërtojnë këtu jetën e tyre, të hapin biznese, të shërbejnë, të krijojnë?
Atëherë, nuk mjafton të ndjejmë zemërim për disa orë në rrjete sociale. Ky rast duhet të shërbejë si pikë kthese. Të mos mbyllet si çdo herë me “janë miqtë e dikujt”, “kërkuan falje”, apo “ishte keqkuptim”. Duhet drejtësi. Sepse kur dhunohet një djalë që punon ndershëm, pa lidhje, pa mbrojtje, dhunohet vetë shpresa që kemi për këtë vend.
Drejtësia nuk është vetëm për të dënuar të fortët, por për të mbrojtur të dobëtit. Nëse nuk mbrojmë ata që s’kanë asgjë tjetër përveç punës së tyre, atëherë nuk kemi drejtesi. Kemi një arenë ku mbijeton kush është më i zhurmshëm, më i lidhur, më i pamëshirshëm.
Prandaj, nëse doni që fëmijët tuaj të mos largohen, nëse doni që të mos shohin vetëm largimin si zgjidhje, ndëshkoni dhunën. Mos e justifikoni. Mos e relativizoni. Jepini drejtim këtij rasti. Jo vetëm për Ronin, por për të gjithë fëmijët tanë që duan të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë jetën këtu./dritare.tv

















