
Açka: PD-ja, parti që mblidhet me fishkëllima
Dritare.net
E ftuar në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në DritareTV, Flutura Açka foli për përvojën e saj në zgjedhjet e vitit 2021 dhe mënyrën si funksionon Partia Demokratike.
Ajo tha se në atë kohë nuk kishte njohuri për mënyrën e organizimit të fushatave elektorale:
“Në 2021-shin unë nuk njihja fare parti. Nuk e dija si funksiononte. Çdo gjë kishte mbaruar, unë nuk dija asgjë, as shtab, asgjë.”
Açka tregoi se kishte kërkuar që PD-ja të hartonte një manual për kandidatët, por kërkesa e saj u prit me habi nga kolegët:
“U kam thënë deputetëve të PD-së që duhet bërë një manual se si funksionon në fushatë një kandidat për deputet, sepse njeriu nuk e di. Por kur u thashë, ata hapën sytë: ‘Ç’është ky manual, bëj shtab,’ thanë. Po çfarë është ky shtab, unë kam ardhur te partia. Partia e di.”
Sipas saj, PD në këto katër vite nuk ka ndërtuar struktura të qëndrueshme, por është kthyer në një parti që funksionon vetëm në fushatë:
“Ajo që zbulova është që PD-ja në këto katër vjet është parti fushate, është parti që mblidhet me fishkëllima, jo me struktura.”, përfundoi Açka./K.C/dritare.net

















