
Evazion, kontrabandë dhe botoks i skaduar. Bllokohet klinika private "International Medicare"
Dritare.net
Klinika private “International Medicare”, pjesë e “Sante Plus Group”, u bllokua këtë të enjte në Tiranë, pas një hetimi disa mujor të Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës. Nga verifikimet e Antikrimit Ekonomik rezultoi se subjekti kishte kryer evazion fiskal mbi 1 milion euro dhe përdorte medikamente të kontrabanduara, të ndaluara dhe të skaduara për ndërhyrje estetike.
Sipas hetimit, klinika nuk kishte deklaruar të ardhurat për më shumë se një vit, ndërsa 5 punonjës rezultuan të punësuar pa sigurime shoqërore.
Në kuadër të operacionit të koduar “Bilanci”, policia arrestoi administratorin e klinikës, Edmond Zaja, 62 vjeç. Ndërkohë, u shpallën në kërkim dy bashkëaksionerët e tjerë: turku Bilal Kara, 45 vjeç, me aktivitet në fushën e ndërhyrjeve estetike, si dhe shqiptarja Gerjana Arapi, 32 vjeçe. Burime nga Policia e Tiranës konfirmojnë se të dy ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë dhe pritet bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.
Gjatë kontrolleve në ambientet e klinikës, policia sekuestroi 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të përdorura për botoks, fillera dhe transplante flokësh, shumica të skaduara, si dhe 6 kompjuterë, që do t’i nënshtrohen ekspertizës.
Ndër medikamentet e gjetura ishte edhe antibiotiku “Rifocin 250 mg”, i skaduar në maj 2025, i cili përdoret për infeksione bakteriale të rënda, si dhe “Gadovist”, i skaduar që në vitin 2023. Të dyja këto, sipas policisë, përdoroheshin për injeksione, ndërhyrje estetike dhe anestezi.
Paralelisht me këtë aktivitet, klinika reklamonte në rrjetet sociale procedura të shumta estetike, mes tyre mbushje buzësh me fillera dhe transplant flokësh me çmim 980 euro.
Policia e Tiranës thekson se hetimet po vijojnë për identifikimin e të gjitha personave të përfshirë, si dhe për verifikimin e pasojave që mund të kenë shkaktuar tek klientët përdorimi i medikamenteve të skaduara./K.C/dritare.net

















